Site icon PrishtinaPress

Haziri reagon ndaj deklaratës së Avdullah Hotit: LDK është e anëtarësisë, jo e funksionarëve

Rezultati në zgjedhjet e 9 shkurtit, ku LDK është renditur si partia e tretë, ka nxitur pakënaqësi brenda për brenda strukturave të këtij subjekti.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti tha se pas rezultatit zgjedhor LDK ka nevojë për lidership të ri, duke thënë se kjo është rruga e vetme për të rikthyer besimin në këtë subjekt politik.

E ndaj kësaj deklarate së fundmi ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri.

Haziri në një postim në Facebook ka shkruar se LDK nuk i takon funksionarëve por anëtarësisë.

“Në një ditë si kjo, duhet ritheksuar se LDK nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë saj. Anëtarësia e saj ka vendosur me 19 nëntor 2023 për një mandat të ri të lidershipit. Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, erdhi nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik”, ka shkruar Haziri.

Nënkryetari i LDK-së tutje ka shtuar se betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike, e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka ra morti.

“Ky ishte Kuvend i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, me frymë unifikuese e me rrugëtim të përbashkët. Ndonëse ishte një fushatë e jashtëzakonshme e një mobilizim i madh, rezultati nuk ishte ai që e deshëm. Por, duhet ta ritheksojmë një të vërtet të madhe se betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike, e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka ra morti”, ka shkruar Haziri.

Exit mobile version