Site icon PrishtinaPress

Haradinaj i kujdesshëm me Thaçin për gylenistët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se nuk i kupton reagimet e presidentit turk ndaj tij, ndërsa theksoi se askush nga jashtë nuk do të marrë vendime për punët e brendshme të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj tha se nuk dëshiron të paragjykojë se kush mund të ketë urdhëruar operacionin e arrestimeve dhe deportimit që sipas tij ishte një lloj vjedhjeje e njerëzve nga Kosova.

Zoti Kryeministër për tri ditë me radhë jeni sulmuar nga presidenti turk Erdogan për shkak të qëndrimit tuaj ndaj arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq, si i patë këto sulme?

Haradinaj: Kosova ka një kujdes në marrëdhëniet me të gjitha shtetet tjera edhe me Republikën e Turqisë. Jemi mirënjohës për njohje, për përkrahje në planin ndërkombëtar në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, tani kemi aplikuar për Interpol në këtë vit dhe kemi qenë shumë të kujdesshëm që të mos ndërhyjmë në punë të brendshme të ndonjë shteti tjetër edhe të Republikës së Turqisë. Ndalimi i gjashtë shtetasve turq në Kosovë dhe deportimi i tyre ka paqartësi, pra te mënyra e revokimit të lejes së qëndrimit, ishte procedurë shumë e shpejt dhe deportim i fshehtë dhe bazuar në këtë dhe për faktin që nuk kam qenë i informuar, do të thotë kam marrë vendim dhe i kam shkarkuar parevokueshëm ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e agjencisë së inteligjencës së Kosovës. Reagimet e presidentit (Erdogan) nuk i kuptoj, ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të Turqisë, këto janë punë të brendshme tona edhe askush nuk do të ketë vendimmarrje në punët e brendshme të Kosovës.

A mund të ndikojnë këto në marrëdhëniet e ardhshme me shtetin turk?

Haradinaj: Tani duhet të shkojmë me kujdes, ne jemi të kujdessshëm, edhe si popull shqiptar jemi popull i respektueshëm. Mirëpo gjithashtu, gjithkush duhet t’i dijë kufijtë e vet. Kosova është shtet i pavarur dhe duhet respektuar zhvillimet e brendshme institucionale, kushtetutën e vendit tonë.

Arrestimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq vazhdon të jetë i mjegulluar. Kush është përgjegjës për këtë operacion?

Haradinaj: Operacioni ka ndodhur në Kosovë, jemi ne, institucionet e Kosovës dhe udhëheqësit politik e institucional. Meqenëse operacioni ka ndodhur prej dikastereve, njëri është ekzekutiv, pra ministria e punëve të brendshme, por po ashtu roli i agjencisë së inteligjencës, do të thotë Kosova e ka ndërmarrë veprimin më të madh të mundshëm dhe ka shkarkuar kokat e sigurisë në vend. Do të thotë janë shkarkuar përgjegjësit, por po ashtu kemi nisur edhe hetim të gjithanshëm për këtë.

Kur flisni për hetim të gjithëmbarshëm, kush pritet të përfshihet?

Haradinaj: Për shembull në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë veç ka ardhë raporti i parë nga Inspektorati për mënyrën se si ka ndodhur operacioni. Në ministrinë e Punëve të Brendshme, policia veç e ka dhënë raportin; njëkohësisht mund të ketë edhe institucione tjera, por tani nuk dua të paragjykoj, që mund të përfshihen.

Një nga arsyet e arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq ka qenë edhe vlerësimi se janë persona të rrezikshëm për vendin. Për çfarë rreziku bëhet fjalë?

Haradinaj: Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka krijuar një dosje për këtë, bazuar në transaksione financiare dhe në aktivitete, që sipas kësaj agjencie mund të sjellin rreziqe për Kosovën. Megjithatë, këto informata nuk janë të procesuara në një proces serioz dhe ky është raportim i brendshëm nga AKI, pra e vërteton edhe atë nxitimin për të cilin kemi shprehur shqetësim të gjithë.

Zoti kryeministër, një aksion i tillë sipas njohësve të çështjes nuk do të mund të bëhej pa mbështetje të politikës. Ju vazhdimisht keni hedhur poshtë pohimet se jeni njoftuar për aksionin. Kujt i raporton agjencia e zbulimit?

Haradinaj: Agjencia AKI, drejtori në bazë të përgjegjësive të veta i raporton presidentit dhe kryeministrit, emërohet nga presidenti bashkë me kryeministrin, por emërohet nga presidenti, ndërsa ministri i punëve të brendshme drejtpërdrejt i raporton kryeministrit.

Por, sipas jush, as ju e as presidenti Thaçi nuk keni qenë të informuar për këtë operacion?

Haradinaj: Për faktin që një operacion i tillë, që ka pasoja të mëdha për sigurinë në vend, për pozicionin gjeostrategjik të Kosovës edhe në aspektin e të drejtës njerëzore dhe në aspektin human, ka ndodhur pa informimin paraprak për mua në këtë rast si kryetar qeverie. Unë e kam humbur besimin te këta dy të ngarkuarit kryesor, pra te të dy shefat e institucioneve, njëri është shefi i AKI-së dhe tjetri shefi i ministrisë së punëve të brendshme edhe i kam liruar nga përgjegjësia. Kuptohet për AKI-në lirimi duhet të vijë edhe nga presidenti, por sa i përket pjesës time është i liruar.

Kur pritet të ndodhë kjo?

Haradinaj: Ata janë të liruar dhe nuk mund të ushtrojnë funksionet e veta. Që nga momenti i nënshkrimit të letrës nga ana ime ata nuk janë më funksional.

Presidenti Erdogan krahas sulmit ndaj jush, në të njëjtën kohë ka falënderuar presidentin Thaçi. Nisur nga kjo a qëndron presidenti pas operacionit?

Haradinaj: Shikoni, unë nuk kam pasur rast të njihem personalisht ndonjëherë me presidentit Erdogan, ne kemi interes për një partneritet strategjik me Turqinë në planin ndërkombëtar dhe në marrjen e njohjeve dhe nuk dua të paragjykoj asgjë. Ajo që është me rëndësi, që në Kosovë, e thashë edhe njëherë, nuk mundet dikush t’i kryejë punët tona në emrin tonë, i kryejmë ne vet, kur besojmë në to edhe nuk mundet dikush me vjedhë njerëz në Kosovë. Kjo ishte një lloj vjedhjeje e njerëzve nga Kosova.

Çfarë do të ndërmerrni që një situatë e tillë të mos përsëritet më?

Haradinaj: Nuk ka mundësi të përsëritet, kjo është një mësim besoj për të gjithë ne, askush nuk do të mund të veprojë më njëjtë si ka ndodhur kësaj here.

Ku po bazoheni në këtë?

Haradinaj: Besoj që veprimet që kemi ndërmarrë e dëshmojnë këtë, pra kushdo që guxon t’ia bëjë Kosovës këtë si kësaj here, pasojat do t’i ketë të mëdha.

Aksioni ka ngjallur reagime të shumta, si në vend edhe jashtë Kosovës. Çfarë pasoja mund të ketë kjo për të ardhmen evropiane të vendit?

Haradinaj: Kosova është e përcaktuar, është euro-atlantike. Kur themi euro-atlantike mendojmë në përcaktimin në anëtarësim në Bashkimin Evropian, në NATO dhe miqësi me Amerikën. Në planin botëror, në politikë të jashtme ne përcjellim politikën e jashtme të Amerikës. Në kontinentin tonë jemi të përcaktuar që t’i takojmë familjes evropiane, ky është përcaktimi ynë, është publik, edhe jemi krenarë për këtë dhe vetëm këtij përcaktimi do t’i shërbejmë.

Por këto veprimet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian nuk kanë ndodhur, për shembull deportimi…

Haradinaj: Kjo nuk e dëshmon përcaktimin tonë, një aksident që i ka ndodhur Kosovës, për sanimin e të cilit kemi nevojë për ndihmën e të gjithëve. Kjo nuk është dëshmi e përcaktimit tonë. Përcaktimi ynë është euro-atlantik, i vetmi dhe i tillë mbetet.

Po gjatë javës që lamë pas Kosova përjetoi edhe një ngjarje tjetër që bëri bujë pas arrestimit dhe dëbimit të zyrtarit serb Marko Gjuriç. Pas kësaj përfaqësuesit e serbëve paralajmëruan formimin e Asociacionit të komunave serbe deri më 20 prill, nëse institucionet e Kosovës nuk ndërmarrin hapa vet për një gjë të tillë. Si do të veproni ju?

Haradinaj: Ne kemi një dinamikë të aktiviteteve tona qeverisëse dhe e vërteta është se nuk kam arritur ende të merrem me këtë temë për shkak të plot temave që kishim në tavolinë dhe jo të lehta. Ende jemi në vështirësi të mëdha me gjendjen në arsim, në shëndetësi, në ekonomi dhe vendet e punës, fatmirësisht stabilizuam energjinë në një masë të caktuar dhe kemi hapur investime dhe kemi vërtetë investime të mëdha në energji. Asociacioni, sa i përket dinamikës sonë qeverisëse mund të vijë në të ardhmen, pra mund të jetë në agjendën e qeverisë, kemi një bazë të qartë me vendimin e gjykatës Kushtetuese dhe nuk shohim vështirësi në zbatim. Qëndrimet se kush e themelon dhe deri në çfarë afati e ultimatumet nuk i ndihmojnë kësaj teme, përkundrazi e dëmtojnë këtë temë për shkakun se nuk mund ta amputosh në një farë mënyre ose t’ia ngjesësh një institucion të caktuar kushtetutës sonë, nëse nuk krijohet nga procesi i paraparë kushtetues. Pra është një produkt i jashtëm dhe i cili nuk ka bazë në Kosovë.

Si do t’ia bëni? Serbët e kundërshtojnë vendimin e gjykatës kushtetuese. Ata dëshirojnë që Asociacioni të themelohet në bazë të marrëveshjes së Brukselit?

Haradinaj: Ne e respektojmë interesimin e serbëve të Kosovës për Asociacionin dhe jemi të interesuar për të thelluar dialogun me ta, jo vetëm për këtë temë, por për të gjitha. Por, të gjithë ne jetojmë në Kosovë dhe dihet se gjykata kushtetuese ka fuqi në Kosovë, pra është institucion i respektuar, ka rrëzuar dy presidentë edhe ata që jetojnë në Kosovë e dinë që nuk guxon të dalësh nga të gjeturat e vendimit të gjykatës. Por, mund të përparojmë pra në të drejtat e komuniteteve në Kosovë edhe të serbëve së bashku, ndërsa ndaras nga një proces institucional, kushtetues e ligjor, nuk bëjmë asgjë edhe mua më vjen keq që dikush i nxitë serbët e Kosovës, kryesisht Beogradi në këtë rast që të veprojnë ndaras. E vetmja zgjidhje është duke qenë në tavolinë, duke qenë pjesë e institucioneve që të mund të ecim përpara.

Nëse një gjë e tillë ndodhë nga serbët e Kosovës, si do ta trajtoni këtë çështje?

Haradinaj: E tillë nuk ka peshë as kushtetuese e as ligjore, pra është e parëndësishme.

A mund të ndikojë në të ardhmen në bisedime?

Haradinaj: Nuk ka efekt, nuk krijon efekt, çfarëdo efekti apo çfarëdo natyre nuk krijon efekt, as kushtetues, as ligjor, do të thotë është inekzistente. Mund të quhet një vullnet i dikujt, por nuk e fiton bazën, as ligjore, as kushtetuese.

Zoti kryeministër, Lista Serbe tashmë nuk është pjesë e qeverisë dhe rrjedhimisht nuk keni numra në parlament. Sa do të ndikojë kjo në të ardhmen e qeverisë suaj?

Haradinaj: Qeveria jonë ka shumicën në parlament edhe sot, do të ketë edhe për një kohë. Largimi i Listës Serbe nuk është dëmtim i argumenteve qeverisëse për këtë qeveri, përkundrazi do ta quaja një dëshmi se jemi të hapur për partneritet, por edhe kemi kujdesin për të ruajtur interesin e vendit dhe sovranitetin. Unë me të vërtetë kam përvojë të mirë me Listën Serbe dhe partneritet korrekt, kemi punuar dhe besojmë që do të punojmë prapë në të ardhmen, mirëpo krahas kësaj, grupe deputetësh të Parlamentit të Kosovës, pra nga partitë politike shqiptare, i kanë dhënë përkrahje qeverisë dhe do t’i japin.

A jeni duke diskutuar më partitë në opozitë për zgjerim të koalicionit qeverisë?

Haradinaj: Jo për zgjerim ashtu klasik, vetëm për të hequr një partner dhe për të fituar një tjetër, por për temat që e presin vendin e qeverinë për një partneritet më shumë po e quaj ashtu strategjik, pra që Kosova t’i kalojë këto tema që ka para vetes, në mënyrë që në të ardhmen të jemi të shkarkuar prej temave tjera e të vështira që e kanë ngarkuar Kosovën qe një kohë.

Kur të kalohen këto tema, siç po thoni ju, të rënda, pastaj shkohet në zgjedhje të parakohshme?

Haradinaj: Vjen afati dikur, nuk e shoh Kosovën duke shkuar në zgjedhje tani, të paktën.

Jo, gjatë këtij viti?

Haradinaj: Të paktën nuk e shoh se do të ndodh.

Zoti kryeministër, një pjesë e opozitës po kërkon vazhdimisht zgjedhje. Si i përgjigjeni?

Haradinaj: Edhe unë jam për zgjedhje kurdo, më mirë është të shkohet në zgjedhje në fakt, por e shoh që spektri politik nuk i ka rrethanat për zgjedhje tani.

Exit mobile version