Site icon PrishtinaPress

Haliti: Qeveria nuk e procedon Demarkacionin pa i siguruar votat

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti ka thënë se nuk ka informacion nëse Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi do të procedohet gjatë kësaj jave në Kuvend. Megjithatë ai ka thënë se beson që Qeveria nuk do ta procedon atë marrëveshje pa i siguruar votat e nevojshme për ratifikim.

“Nuk kam ndonjë informacione se a ka diçka konkrete, por nëse vjen, ne si Kryesi e shqyrtojmë dhe e procedojmë tutje në Parlament. Unë besoj që Qeveria nuk e sjellë në Kuvend këtë marrëveshje pa i siguruar votat”, ka thënë Haliti për Lajmi.net

Më tej, anëtari i Kryesisë së PDK-së ka thënë se nuk e di nëse ka ndryshuar qëndrim i deputetëve të koalicionit rreth kësaj marrëveshjeje.

“Nuk e di se a ka ndryshuar qëndrimi i deputetëve, ata janë të lirë të flasin dhe të votojnë sipas bindjes së tyre. Po ne si shtet kemi nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare dhe tani edhe Bashkimi Evropian edhe SHBA edhe NATO po insistojnë që ne t’i zbatojmë marrëveshjet që i kemi nënshkruar. Gjithashtu, zonat e kontestuara janë duke i kontrolluar autoritetet malazeze, e jo Kosova. Nuk e di sa është punë formaliteti kjo”, ka shtuar Haliti.

Në fund, ai ka thënë se deputetët është në duart e deputetëve që ta zhbllokojnë apo që ta prolongojnë edhe më tutje çështjen e liberalizimit të vizave.

“Por, deputetët mund ta prolongojnë apo ta zhbllokojnë situatën qoftë për liberalizimin e vizave, qoftë për raportet jo me Malin e Zi, por për raportet në mes të subjekteve politike në Kosovë”, ka përfunduar Haliti.

Exit mobile version