Site icon PrishtinaPress

Hahn në Podgoricë me lajme të mira: Jeni pararojë në rajon për integrimin

Me të shkelur në Podgoricë, Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn e bëri të qartë se kishte mbërritur me lajme të mira.

Në të gjitha fjalimet dhe takimet e zhvilluara me zyrtarët malazezë, Hahn foli me optimizëm për të ardhmen europiane të Malit të Zi, që e sheh si të parin në garën për anëtarësim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Strategjia e Zgjerimit e Bashkimit Europian e identifikon qartë Malin e Zi si një vend pranë anëtarësimit dhe vendit për herë të parë iu dha një afat kohorë dhe instrumentat për ta shndërruar objektivin e vet strategjik në realitet”, tha Hahn.

Por, para se kjo të ndodhë ka ende disa detyra, jo fort të lehta për politikanët vendas.

“Sidomos sa i përket sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirisë së medias. Konsensusi kombëtar është kyç për integrimin. Debati politik është i domosdoshëm, por ai është i shëndetshëm vetëm kur zhvillohet brenda normave kushtetuese dhe ligjore”, u shpreh Komisioneri në fjalën e mbajtur para Parlamentit të Malit të Zi.

Ndalesa e Hahn në Malin e Zi mbërrin pas asaj në Serbi. Që të dyja këto vende kanë marrë 2025 si një afat inkurajues për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian.

Exit mobile version