Vizita e kryeministrit malazez, Dushko Markoviq, e cila ishte paraparë gjatë ditës së martë më 6 shkurt, ishte shtyrë për një datë të pacaktuar.
Kjo vizitë, e paralajmëruar për javën e ardhshme, ende nuk ka ndonjë datë të saktë të konfirmuar nga Qeveritë për mbajtjen e saj.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, në një përgjigje për lajmi.net, ka thënë që për shkak të koordinimit të agjendave mes dy qeverive, ende nuk është caktuar ndonjë datë e saktë për mbajtjen e saj.
“Markoviq do të vijë gjatë javës së ardhshme, mirëpo për shkak të koordinimit të agjendave, nuk është caktuar ndonjë datë e caktuar për këtë vizitë”, tha Gashi për lajmi.net.
Ndryshe, kjo vizitë e Kryeministrit malazez në Kosovë pritet të hedhë dritë mbi qëndrimet e Malit të Zi për Demarkacionin, çështje kjo që po mban peng procesin e liberalizimit të vizave për shtetin më të ri në Evropë.