Ish-kryetari i organizatës së veteranëve të luftës, Hysni Gucati, nesër do t’i nënshtrohet një operimi.
Dhomat e Specializuara të Hagës në një përgjigje për Klankosova.tv thuhet se Gucati mund të konsultohet me ndonjë mjek të jashtëm.
Zëdhënësja e DHSK-së Angela Grieb, tha për Klankosova.tv se mjeku të cilin e zgjedh ta konsultojë ish-kreu i OVL-së duhet të jetë i lincencuar për veprimtarinë e tij në Kosovë, Holandë apo edhe në ndonjë vend të tretë.
Grieb theksoi se për arsye të privatësisë nuk mund të jap detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të Gucatit.
Ajo shtoi se në rast se shpenzimet e konsultimit s’mund t’I mbulojë i paraburgosuri, ai mund të kërkojë nga Dhomat e Specializuara që t’i mbulojë ato.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara ndër të tjera foli edhe për vizitat e familjarëve të të burgosurve në Hagë.
“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të ofrojmë informacione në lidhje me gjendjen shëndetësore ose kujdesin shëndetësor të marrë nga të paraburgosurit. Në përgjithësi, të paraburgosurit marrin të njëjtat standarde të kujdesit shëndetësor që të disponueshme në Holandë. Të gjithë të paraburgosurit marrin vizita të rregullta nga mjekët në ambientet e paraburgimit dhe mund të kërkojnë kujdes mjekësor në çdo kohë. Mjekët mund të referojnë gjithashtu një të paraburgosur për kujdes ose trajtim të specializuar, aty ku kërkohet. Për më tepër, një i paraburgosur mund të konsultohet me mjekë të jashtëm. Një praktikues i jashtëm duhet të jetë i licencuar për të ushtruar profesionin në Kosovë, Holandë ose në shtetin e vendbanimit të të paraburgosurit. Në rast se të paraburgosurit i mungojnë mjetet financiare për t’u konsultuar me një mjek të jashtëm, i paraburgosuri mund të kërkojë nga Sekretari që Dhomat e Specializuara të paguajnë kostot e çdo trajtimi” – thuhet në përgjigjen e DHSK-së për Klankosova.tv.
“Për arsye të privatësisë, ne gjithashtu nuk mund të japim informacion për vizita specifike të të paraburgosurve individualë. Në përgjithësi, të paraburgosurve u lejohen 10 ditë vizita në çdo periudhë 30-ditore dhe vizitat në përgjithësi mund të zgjasin gjithë ditën, brenda orëve të vizitës”.
Hysni Gucati, ishte arrestuar në shtatorin e 2020-ë në zyrat e kësaj organizate në Prishtinë nga pjesëtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit (EULEX)./Prishtinapress/