Krahas Lisitës Serbe, në konferencën e sotme mori pjesë edhe ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Veri, Nenad Gjuriq.
Gjuriq tha se ndjehet i lumtur me përkrahjen që ka marrë nga serbët këto dy ditët e fundit.
Gjuriq ka thënë se është falendërues ndaj “vendit të tij”, Serbisë, si dhe presindentit Aleksander Vuçiq.
“Dua të falënderoj të gjithë ata që më mbështesin, familjen time, kolegët dhe miqtë, vendin tim Serbinë dhe presidentin Aleksander Vuçiq. Dhe kjo më jep forcën për të duruar gjithë këtë”, tha Gjuriq për mediat.
“Unë nuk jam më pjesëtar i policisë së Kosovës sepse dua të dal para gjykatës së Zotit me fytyrë të pastër dhe ballë të ndritur”, vijoi Gjuriq.
Ndërkohë, mediat serbe kanë raportuar se presidenti serb e ka telefonuar Gjuriqin, duke i thënë se populli serb është krenar dhe në krah të tij.
Gjuriq u shkarkua dje, pasi i njëjti dyshohet se ka refuzuar të bëjë shqiptimimin e qortimeve ndaj qytetarëve serbë, për targat.
Lidhur me shkarkimin e tij, Policia e Kosovës thotë se nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të PK-së.