Site icon PrishtinaPress

Nesër 6 vite nga vdekja e Astrit Deharit, Albulena Haxhiu: Prokuroria po vonon drejtësinë

Në gjashtë vjetorin e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes në burgun e Prizrenit, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë se rrethanat e vrasjes së Astritit mbesin padrejtësisht enigmë, siç ka shkruar ajo, për shkak të mos veprimit të Prokurorisë.

Ministrja ka thënë se janë të domosdoshme veprimet për zbardhjen e shpejtë të këtij rasti. 

“Janë të domosdoshme veprimet për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të vrasjes së Astritit, hetim i gjithanshëm që shoqërohet me efikasitet dhe rezultate që shfaqin të vërtetën, në bazë të provave dhe fakteve të pakontestueshme të cilat janë në duart e organeve të ndjekjes. Neglizhenca e Prokurorisë po e vonon drejtësinë”, ka shkruar ajo.

Haxhiu ka përmbledhur angazhimet e ministrisë së saj për zbardhjen e rastit.

“Brenda kompetencave të përcaktuara ligjore, si Ministri e Drejtësisë kemi kërkuar inspektim për rrethanat e rastit Dehari, me ç’rast pas gjetjeve të Raportit kanë rezultuar me pezullim personat: Ylber Topalli (ish-Kryeinspektor i ShKK-së); Destan Zogaj (ish-u.d. Drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren) dhe Burim Buleshkaj (ish-u.d. Drejtor për Siguri, Operativë dhe Transport të të Burgosurve në ShKK). Për më tepër, shkeljet e rënda e të shumta procedurale i kemi dërguar te Prokurori i lëndës, por nuk kemi asnjë informacion për epilogun e tyre, në kuptim të ndihmës për ecurinë e rastit. Rasti Dehari nuk mund të zbardhet me pasivitet prokurorial.  Zbulimi i sakt i çdo prove, përveç që vë drejtësinë për Astritin, dëshmon botërisht për fitoren e drejtësisë ndaj manipulimeve sistemike që rrodhën që në orët e para pas vdekjes së tij”, ka shkruar tutje ajo.

Haxhiu ka thënë se Prokuroria duhet t’i vë në lëvizje të gjitha mekanizmat dhe instrumentet ligjore për ta përshpejtuar zgjidhjen e plotë të ngjarjes, me nxjerrjen e të gjithë përgjegjësve para drejtësisë.

“Astriti ishte aktivisti politik i ngritur, i përgatitur për jetën, për veprimtarinë kombëtare e politike, për shtetin dhe shoqërinë. Institucionet e shtetit duhet me doemos ta zbardhin rastin e tij, e shoqëria duhet ta kuptojë të vërtetën e plotë për Astritin”, ka shkruar në fund ajo. 

Nesër, 5 nëntor bëhen gjashtë vite prej kur Dehari kishte ndërruar jetë në burgun e Prizrenit.

Exit mobile version