Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se sot është mbajtur mbledhja e radhës e Kryesisë së Aleancës, e para pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë dhe pak ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Gjini ka thënë se AAK-ja vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim lidhur me Dhomat e Specializuara dhe se kërkon që procesi i ndihmës ligjore për krerët e UÇK-së në Hagë dhe, siç është shprehur ai, mbrojtja e të drejtës shtetërore të Kosovës të mos përzihet me politikat partiake.
“Aleanca vazhdon të jetë e prerë nga fillimi në raport me Specialen, derisa, do të vazhdojë të kërkojë nga të gjitha palët që procesin e ndihmës ligjore për krerët e UÇK-së në Hagë dhe mbrojtjen e të drejtës tonë shtetërore në asnjë moment të mos e ngatërrojmë me politika partiake”, ka shkruar Gjini.
Duke iu referuar procesit për zgjedhjen e presidentit, ai ka shprehur shqetësim për zvarritjen e mëtejshme të këtij procesi dhe për afrimin e fundit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas Gjinit, “tendencat për manovra me afate dhe lëndë të reja në Gjykatën Kushtetuese” mund të krijojnë paqartësi të mëtejshme për qytetarët e Kosovës.
“Gjithashtu, zvarritja e mëtejshme e procesit për zgjedhjen e presidentit duke shkuar drejt fundit të afatit të caktuar nga Kushtetuesja dhe tendencat për manovra me afate dhe lëndë të reja në Gjykatën Kushtetuese, rrezikojnë të krijojnë një paqartësi edhe më të madhe, për qytetarin e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Gjini ka theksuar se Aleanca, sipas tij, ka qenë konsistente dhe konstruktive për çështjet që lidhen me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Në fund, ai ka thënë se AAK-ja do të vazhdojë angazhimin politik për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe rikthimin e normalitetit institucional, si dhe për zhvillimin ekonomik e social të vendit.
“Aleanca ka qenë konsistente dhe konstruktive për çdo çështje që lidhet me historinë tonë, me të sotmen dhe me të ardhmen e fëmijëve tanë. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha rrugët tona politike për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të rikthyer normalitetin institucional, si dhe zhvillimin ekonomiko-social në vend”, ka shkruar Gjini.





