Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ndodhet për vizitë në Slloveni, ku po merr pjesë në Forumin e Bledit.
Në panelin e këtij Forumi Strategjik, i cili mbledh së bashku liderët e rajonit dhe vendeve të tjera evropiane, Gërvalla ka thënë se Kosova nuk po kërkon privilegje e as rrugë të shkurtra, por të bëhet anëtare e këtij unioni.
“Ne nuk kërkojmë privilegje apo rrugë të shkurtra, por kërkojmë që të na vlerësoni me vlerat që i keni për vete dhe të na lejoni të bëhemi anëtarë të këtij unioni në momentin kur ne përvetësojmë të njëjtat vlera”, është shprehur kryediplomatja e Kosovës.
Në Forum po merr pjesë edhe emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai deklaroi se integrimi i Ballkanit në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë dhe se ndihma e BE-së në atë proces është e vetmja përgjigje për krizën e ardhshme ekonomike.
Sipas tij, BE-ja duhet të bëjë shumë për të thjeshtuar procesin.
“Por shumë më tepër punë duhet bërë nga qeveritë e shteteve në anën e tyre për të bërë të mundur procesin e integrimit, ndërkohë që disa shtete dështojnë të përmbushin fare detyrimet e tyre”, deklaroi Escobar.