Ilir Dugolli, ambasador i Kosovës në SHBA, ka konsideruar se dialogu me Serbinë nuk ka pasur ndonjë përparim, meqë ka konsideruar se kjo e fundit ka ende pretendime territoriale ndaj Kosovës.
Dugolli këto deklarata i ka dhënë në një intervistë mediumin amerikan ‘The Washington Diplomat’.
“Nuk ka pasur shumë përparim apo ndryshim thelbësor në qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë. Qëndrimet hegjemoniste janë ende aty. Dhe kjo e bën të vështirë marrëdhëniet normale me ta”, deklaroi ambasadori kosovar në SHBA.
Ai, ndër të tjera ka thënë edhe se pavarësia e Kosovës nuk vihet në dyshim, meqë është konfirmuar nga GJND-ja.
Po ashtu, ka thënë se sikurse republikanët, edhe demokratët çdoherë kanë qenë të angazhuar drejt ndihmës diplomatike ndaj Kosovës.
“Të dy palët, qofshin demokratë apo republikanë, kanë qenë gjithmonë të angazhuar – para luftës, gjatë luftës kur i mundësuan koalicionit të NATO-s t’i jepte fund gjenocidit dhe pas luftës, duke na ndihmuar të rindërtonim vendin në luftën tonë për pavarësi”, theksoi ai.