Ushtrisë së Kosovës po i shtohen radhët me kuadro të reja oficerësh, profilesh të ndryshme, për të qenë forcë profesionale dhe e ndërveprueshme me ushtritë tjera mbi bazën e standardeve të NATO-s.
“Në vazhdën e sukseseve të arsimimit dhe profesionalizimit janë edhe dy oficerë të rinj, pilotët e Ushtrisë së Kosovës, nëntoger Atdhe Hasani dhe nëntoger Krenar Voca, të cilët përfunduan me rezultate të shkëlqyera shkollimin profesional për pilot helikopteri në Akademinë Ushtarake “Kara Havacilik Okulu” në Republikën e Turqisë.
Nëntoger Atdhe Hasani, me suksesin e treguar gjatë shkollimit të tij, ka arritur që të radhitet i dyti në mesin e kadetëve më të mirë të gjeneratës. Në ceremoninë e diplomimit i pranishëm ishte atasheu i FSK-së i akredituar në Turqi, kolonel Bekim Osmani”, thuhet në njoftimin për media.
Oficerët e rinj, të cilët kanë përfunduar me sukses akademinë ushtarake për pilot, pritet që së shpejti, pas kthimit nga Turqia, të angazhohen me shërbim aktiv në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të dhënë kontribut në ngritjen e kapaciteteve ushtarake në lëmin e aviacionit.
Në bazë të marrëveshjes dypalëshe, Republika e Turqisë po vazhdon të ndihmojë në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja të FSK-së. /Telegrafi/