Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku, deklaroi se Blerim Ramadani bëri shumë mirë që u arratis, pasi sipas tij, nga arresti shtëpiak vendosën që ta kthenin në paraburgim me qëllim ekstradimi në Serbi.
Me anë të një postimi në Facebook, Klinaku tutje u shpreh se “shteti artificial i Maqedonisë paska lëshuar fletë-arrest ndaj tij, sepse do që të zbatojë urdhrat e Vuçiqit”.
“Ky pushtet i ardhur në Maqedoni, e që fatkeqësisht në emër të ndryshimit u ndihmua nga Kurti, po i përndjek veteranët e luftës së UÇK-së. Por, le ta kuptojnë se nëse vazhdohet kjo politikë e përndjekjes së shqiptarëve, për çdo eskalim të situatës do të jenë përgjegjës”, shtoi tutje Klinaku.
Ish-pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani nga Kosova, i cili u arrestua muajin e kaluar në kufirin Kosovë-Maqedoni me urdhër të Interpolit të lëshuar me kërkesë të Serbisë, është arratisur nga arresti shtëpiak ku qëndronte në shtëpinë e të afërmve në Maqedoni të Veriut.