Partitë opozitare vazhdojnë t’i konsiderojnë “non grata” këta negociatorë, shkruan sot Gazeta Zëri.
Ani pse faza finale e dialogut Kosovë – Serbi ka nisur qe më shumë se tre muaj, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces pa miratimin e Kuvendit të Kosovës. Pos tij, përkrahje nga deputetët e Parlamentit të Kosovës nuk po arrin të marrë as ekipi negociator i caktuar nga ana e Qeverisë, në krye të së cilës është vendosur zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.
Përfaqësuesit e partive opozitare konsiderojnë se veprimi i Qeverisë për formimin e ekipit negociator ka qenë i gabuar, pasi ata fillimisht duhet që presidenti Thaçi të ndalet së udhëhequri këtë proces, të miratohet një platformë e tek pastaj mund të flitet për ekipin negociator. Pavarësisht kësaj, zyrtarë të partive në pushtet mbeten optimistë se do të arrihet një konsensus i gjerë mes spektrit politik në Kosovë sa u përket negociatave me Serbinë. Në të kundërtën sipas tyre, mosarritja e një dakordimi të gjerë politik i sjell dëme të konsiderueshme shtetit të Kosovës.
Porse njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se edhe takimi i radhës, që pritet të mbahet në Bruksel, do të zhvillohet pa një dakordim të partive politike në Kosovë.