Site icon PrishtinaPress

Edita Tahiri: Të votohet demarkacioni dhe të formohet ushtria

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, mori pjesë në sesionin e fundit të Javës së Gruas për vitin 2017 me temën “Deshifrimi i Bashkimit Evropian” të organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar me mbështetjen e USAID.

Kjo ngjarje që tradicionalisht mbahet që disa vite me radhë ka për qëllim për të inkurajuar gratë, qofshin ato përfaqësuese të partive politike, të shoqërisë civile, apo pjesëmarrëse të bizneseve, që të përfshihen sa më shumë në pozita të ndryshme shoqërore dhe publike dhe për të përgatitur gratë lidere të së ardhmes.

“Fuqizimi dhe barazia e grave në Kosovë dhe në botë ka bërë përparime, por ende sfidat tona mbeten të mëdha për të arritur qëllimin final, që gratë dhe burrat të janë të barabartë në vendimmarrje, aty ku përcaktohet ardhmëria, zhvillimi dhe përparimi. Për mendimin tim, neve na duhen analiza të sakta se ku jemi sot me barazinë për gratë, cilat janë sfidat dhe barrierat për neve dhe cilët janë rrugët për t’i përballuar këto sfida”, ka thënë Tahiri në fjalën e saj.

Ajo është shprehur se Kosova në periudhën e pas luftës, është bërë model në rajon për fuqizimin e grave.

“Kosova është e para, e cila ka gjetur formën e sjelljes së gruas në vendimmarrje, në Parlament në fillim dhe pastaj edhe në qeveri, sepse jemi të parët në rajon që kemi instaluar kuotën prej 30% që nga viti 2001. Këtë e kemi bërë sepse kemi pasur parasysh mentalitetin dhe kulturën, e cila nuk ka mundësuar natyrshëm, që gruaja të marrë rolin e saj që e meriton, por duhej mekanizma artificial, që të kemi mundësi pastaj që të punojmë në procesin filozofik të vetëdijesimit të shoqërisë, për të mbështetur gratë barabartë si burrat. Pse patëm sukses, ishte se ne gratë ishim një krah i fuqishëm i lëvizjes dhe i luftës tonë për pavarësi si dhe liri”, ka thënë tutje Tahiri.

Ministrja Tahiri ka folur edhe rreth çështjes së demarkacionit me Malin e Zi. Sipas saj, kjo marrëveshje duhet të ratifikohet dhe qytetarët të lëvizin lirshëm.

“U përmend demarkacioni, natyrisht që e kemi këtë problem dhe duhet të votohet nga parlamenti, sepse qytetarët kanë mbetur të izoluar. Tani vetëm këtë kusht e kemi, e kemi plotësuar kushtin për nivelin e luftës kundër korrupsionit për këtë fazë që është kërkuar nga Bashkimi Evropian. Pra vetëm vota e deputetëve e mundëson që nesër të lëvizim lirshëm nëpër Evropë. Këtë e bëri të qartë edhe znj. Mogherini, pra votoni demarkacionin jepni shansë qytetarëve që të udhëtojnë lirshëm në Evropë. Shikoni, ne qeveritaret kemi vizat, të gjithë deputetët kanë viza se kanë problem, por kush po pëson janë qytetarët tanë që nuk i kanë vizat”, ka thënë ajo.

Sipas ministres, Kosova e meriton ta ketë Ushtrinë e saj.

“E njëjta është edhe me angazhimin tonë për ushtrinë e Kosovës, 18 vjet pas luftës Kosovës i takon ushtria. Ne kemi FSK-në por duhet ta bëjmë ushtrinë tonë, një ushtri moderne sipas standardeve të NATOs veçmas në këtë fazë kur agjenda gjeopolitike ka ndryshuar me dinamika të rrezikshme. Ne mposhtëm okupimin, ne bëmë luftë për liri dhe jo vetëm Kosova por të gjitha vendet e rajonit, ne mposhtëm komunizmin, mposhtëm ndikimin rus në Ballkan, e përcaktuam fatin me bllokun euroatlantik. Por tani po shohim rreziqe që po vijnë nga Rusia me ambicie gjeopolitike ndaj rajonit të Ballkanit. Prandaj, ne gratë bashkë me burrat duhet t’i bëjmë të njohur botës se jemi euroatlantik me vizion dhe punojmë për reforma, ndërsa miqtë tanë perëndimor tani është koha që të na ndihmojnë më shumë dhe mos të lejojnë që humbësit nostalgjik si Rusia të na kthehen në rajon”, është shprehur Tahiri.

Exit mobile version