Site icon PrishtinaPress

Drafti sekret i Asociacionit, çka pritet nga takimi Kurti – Vuçiq?

Serbian President Aleksandar Vucic, Kosovar Prime Minister Albin Kurti and European Union foreign policy chief Josep Borell attend EU-sponsored talks in Brussels, Belgium February 27, 2023. REUTERS/Johanna Geron

Në takimin e parë pas Marrëveshjes së Ohrit mes Kryeministrit Kurti dhe Vuçiqit, shpaloset drafti i Asociacionit.

Atë e ka shkruar një ekip serbësh, i izoluar tërësisht nga Qeveria e Kosovës, ndonëse, formalisht, ekipi është emëruar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.Kurti u nis sot për në Bruksel.

Një mediumi kroat i ka thënë se do të jetë “i lumtur” të shohë se çfarë ka bërë i ashtuquajturi “Ekipi Menaxhues” edhe pse ka preferuar dokumenti t’i shpaloset në Prishtinë. Ambasadori Christopher Hill tha se tani gjithçka ka ardhur në pikën kur Asociacioni do të bëhet realitet edhe pse nuk do të themelohet me 3 maj. Çka pritet të ndodhë nesër?

Sipas Marrëveshjes Bazë të pranuar mes Kosovës dhe Serbisë, zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit nënkuptohej në pikën e fundit të dokumentit, ndërsa krijimi i tij nënkuptohej në pikën 7 të Planit të Zbatimit të dakorduar në Ohër.

Në praktikë, ashtu siç ishte kërkuar gjatë nga ndërkombëtarët dhe nga Serbia, Asociacioni u zhvendos në një nga dy temat e para që do të fliten në takimin mes Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, pas arritjes së marrëveshjes.

Kurti shkon në takim me dy “fitore” dhe si “europian” pasi Kosova ka kaluar fazën e parë në procedurën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës ndërkohë që dihet data e saktë e udhëtimit të kosovarëve pa viza. Vuçiq, ndërkaq, me bindjen se i ka rezistuar zbatimit të marrëveshjes për shkak se nuk ka filluar ende implementimi i Asociacionit.

Nga Bashkimi Evropian kanë konfirmuar se në takimin e 2 majit në Bruksel është planifikuar të miratohet Deklarata për persona të pagjetur dhe të bëhet prezantimi i draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të Kosovës. Atë draft është angazhuar ta hartojë një Ekip i përbërë nga katër serbë, mes tyre edhe deputetja e Kuvendit të Serbisë nga partia e Vuçiqit, Danijela Vujiçiq.

Ambasadori Christopher Hill gjatë fundjavës tha se serbët kanë pritur gjatë dhe se gjithcka tani është në pikën kur Asociacioni do të bëhet realitet.

Hill ka thënë se e di që më 3 maj, një ditë pas takimit Kurti -Vuçiq, nuk do të themelohet Asociacioni por do të caktohen data dhe se do të arrihet mirëkuptimi për atë që duhet të bëhet.

“Kur të kryhet cështja e Asociacionit, do të shohim përparim në aspektet tjera të normalizimit” ka thënë ambasadori amerikan.

Për takimin e 2 majit ka shkruar sot edhe ndërmjetësi Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se gjatë takimit në Greqi të shtunën me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti i kanë përgatitur detajet e takimit.

Kryeministri Kurti megjithatë nuk e ka parë se çka ka shkruar ekipi, që vetëm formalisht, buron nga Qeveria e Kosovës, pasi emërimin e anëtarëve e kanë bërë ministrat e mëhershëm të Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ekipi Menaxhues është mbyllur tërësisht, duke mos pranuar as të takohej me përfaqësuesit e Qeverisë.

Megjithë misteriozitetin e Ekipit që faktikisht – së paku deputetja Vujiçiq – ka lidhje me Presidentin serb, Kryeministri Kurti i ka thënë mediumit kroat “Hina” se do të jetë i lumtur të shohë se çfarë është përgatitur në draftin e Asociacionit edhe pse do të dëshironte që drafti t’i dorëzohej në Prishtinë.

“Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave”, ka thënë Kurti.

Pra, ai pajtohet që, sipas dakordimit në Marrëveshjen Bazë, të ketë një nivel të vetëqeverisjes së komunitetit serb, por thotë se nuk do të pranojë ndonjë model të Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Por ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me esencë shkatërruese që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, tha tutje Kurti.

Kryediplomati serb, Ivica Daçiq, ka thënë sot se Kurti po përpiqet ta minimizojë rëndësinë e Asociacionin dhe se po dëshiron të krijojë kriza, ashtu që të mos ketë kushte për ta formuar bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

“Prishtina do të përpiqet të minimizojë rëndësinë e Asociacionit të komunave serbe, nga emri, statuti dhe ekipi drejtues e deri te kompetencat e tij”, ka thënë Daçiq, sipas raportimit në mediat serbe.

Miroslav Lajcak po ashtu gjatë javës që shkoi tha se, më në fund, do të fillojë të përcaktohet statuti, kompetencat e Asociacionit, që ai thotë se e duan sipas modeleve që ekzistojnë nëpër Evropë.

“Qëllimi është përcaktimi i statusit ligjor të serbëve të Kosovës dhe të pakicës serbe në Kosovë. Ne e shohim këtë si një mundësi për të qartësuar disi marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës. Dhe në të njëjtën kohë të definohet roli i Serbisë në mbështetjen e serbëve të Kosovës. Është një temë e ndjeshme, flitet shumë për të, por për mua është e rëndësishme që më në fund të fillojmë të përcaktojmë se çfarë do të thotë komuniteti, cili do të jetë statusi i tij, cilat do të jenë kompetencat e tij. Ne do t’i përmbahemi modeleve ekzistuese evropiane”, ka thënë ai.

Opozita në Kosovë ka paralajmëruar se do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim Draft-Statutin e Asociacionit, nëse atë e pranon Kurti.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, ndërkaq, nuk ka pasur shumë shpresë se nga Ekipi Menaxhues i angazhuar tani do të hartohet një draft që do të ishte i pranueshëm për Kosovën.

“Aty qysh është e rregulluar kjo punë nga e kaluara është se ekziston një Ekip i Menaxhimit, i cili ka pasur obligim për të ofruar një version të Asociacionit, një tashmë e ka ofruar dhe ai nuk ka funksionuar dhe nuk është pranuar, tash do ta ofrojë tjetrin. Nuk e përjashtoj se as ky tjetri nuk do të funksionoj duke parë përbërjen e këtij ekip të menaxhimit, ku është i përberë edhe nga deputetët e Serbisë. Kjo është e papranueshme për Kosovën. Nëse ky menaxhment ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë, mendoj që më e udhës për Kosovën është që të shkarkohet ky menaxhment”, ka thënë Konjufca.

Exit mobile version