Site icon PrishtinaPress

“Dorëzohet” Vetëvendosje, Komisioni Hetimor për rrymën i propozuar nga opozita hyn në rend dite

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që Komisioni Hetimor Parlamentar për energjinë të jetë në rend dite në seancën e 28 prillit kur edhe është caktuar mbajtja e saj.

Drejtoria për media e Kuvendit në komunikatën e dërguar për media njofton se në seancën plenare do të jetë pikë e rendit të ditës propozimi i 40 deputetëve për Komisionin Hetimor.

“Të enjten, më 28 prill 2022, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancën plenare të radhës. Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca. Pas shterimit të pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, në rend dite do të jetë propozimi i 40 deputetëve për caktimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Tjetër pikë e rendit të ditës do të jetë edhe formimi i Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve të OSHP-së.

“Më pas, pritet të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për mbrojtjen e sekreteve tregtare, për të vijuar me zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve tjera joshumicë, si dhe të tre anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Seanca pritet të përmbyllet me formimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj”, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version