Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e 214-të, të enjten, me votim unanim ka caktuar prokurorin Besim Kelmendi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.
Këtë detyrë, Kelmendi do ta ushtrojë deri në një vendim të ri të KPK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas Rregullores Nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, në qoftë se mandati i Kryeprokurorit të prokurorisë përkatëse ka përfunduar në çfarëdo mënyre, KPK-ja merr vendim për caktimin e ushtruesit të detyrës.
Ndryshe, më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) votoi unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë, kurse vendimi për dekretim tani mbetet në duart e presidentes Vjosa Osmani.
Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, ku koalicioni i OJQ-ve: IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin për emërimin e Isufajt si Kryeprokuror dhe se kanë propozuar që të përsëritet konkursi.
Ndaj këtij procesi kanë reaguar Ambasada Britanike, Ambasada Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces.
Ndërsa, gjatë të enjtes, presidentja Osmani ka pritur në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile, për të diskutuar rreth këtij procesi.
Aleksandër Lumezi sot (21 prill) përfundon mandatin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, pozitë të cilën e kishte marrë më 21 prill 2015.