Ende pa përfunduar mirë punimet, shtegu i ri i ecjes dhe vrapit në Taukbahqe, është dëmtuar.
Këtë e ka bërë të ditur nënkryetarja e komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ku shprehu shqetësim se ky është një akt i qëllimshëm, duke qenë se janë evidentuar nëntë mbetje të djegies së shiritëve të punimeve.
Reagimi i plotë i saj:
Dëmtime të qëllimshme ende pa përfunduar shtegu i ri i ecjes dhe vrapit në Taukbahqe.
Në orët e para të mëngjesit u lajmëruam nga qytetarët aktiv të lagjes se në shtegun që po shtrohet në parkun e Taukbahqes janë evidentuar nëntë mbetje të djegjes së shiritëve të punimeve. Me Granit Rugova dhe zyrtarë të sportit e të inspektoriatit të Kryeqytetit pamë dëmtimet dhe lajmëruam policinë.
I dënojmë veprimet e tilla huligane që pengojnë punën dhe rrezikojnë qytetarët prandaj i ftojmë institucionet përgjegjëse që të ndjekin rastin deri në fund.
Faleminderit banorëve të lagjes që edhe gjatë inspektimeve sot treguan se si ruhet puna e përbashkët. Puna do të vazhdojë dhe qytetarët do të shfrytëzojnë shtegun e përfunduar që ju takon shumë shpejtë.