Site icon PrishtinaPress

Bloomberg: Kurti kërkon normalizim me Serbinë deri në pranverë, “masat po e dëmtojnë Kosovën”

Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje për t’i rregulluar marrëdhëniet, para se aleatët e tyre të “okupohen” me zgjedhjet që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian. Kështu, citohet të ketë deklaruar kryeministri kosovar, Albin Kurti, sipas Bloomberg.

Mediumi i njohur amerikan raporton se Kurti ka deklaruar që ka një urgjencë në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, madje duke përmendur edhe një afat kohor.

“Ka një urgjencë për implementimin e marrëveshjes dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me qendër në njohjen reciproke de-facto, më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm.” – ka deklaruar Kurti në një intervistë gjatë qëndrimit të tij në Slloveni.

“Masat po na dëmtojnë…”

Kurti ka folur edhe për masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, për shkak të asaj që siç u tha, dështimit që të deeskalohet situate në veri të Kosovës.

“Masat po na dëmtojnë në aspektin financiar, në përkrahjen nga fondet, grantet dhe kreditë që marrim ne nga BE-ja.” – ka deklaruar ai.

Tutje, ai tha si vijon: “Ato janë duke dëmtuar agjencitë tona shtetërore dhe komunitetin tonë të biznesit”.

Kurti mes tjerash ka shtuar se BE-ja dhe ShBA-ja, të dyja, të duan ta ndihmojnë dhe ta përkrahin Kosovën, por se gjithashtu “duan ta largojnë Serbinë nga influenca ruse”.

Kryeministri Kurti këto ditë po qëndron në Bled të Sllovenisë, ku ka marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit. Përveç Kurtit, Kosova po përfaqësohet atje nga kryediplomatja Donika Gërvalla.

Dje, kryeministri mori pjesë në një panel me kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryeministrin malazez Abazoviq, kryeministren serbe Ana Bërnabiq, kryeministrin slloven Robert Kolob, kryeministrin kroat e të tjerë.

“Për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian është si një lloj religjioni sekular,” – u shpreh Kurti, duke precizuar se nuk po e thoshte një gjë të tillë në kuptimin negativ.

Sa i përket marrëveshjes me Serbinë, ai po ashtu u shpreh optimist.

“Unë besoj që është e mundshme dhe e zgjidhshme. Për pak vite besoj do të mund të bëheshim anëtarë të Bashkimit Evropian…”

Kur u pyet në lidhje me masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, ai nuk pati një përgjigje konkrete.

“Neve na vyen deeskalimi. Dhe tashmë për dy muaj në komunat veriore të Kosovës nuk ka pasur ndonjë protestë apo incident… kemi ulur praninë e Policisë së Kosovës në dhe rreth objekteve komunale.” – tha mes tjerash Kurti.

Kurti në këtë diskutim, pati edhe një polemikë me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq. Kjo e fundit, e përmendi marrëveshje ne prillit të vitit 2013. Ajo u shpreh se po bëheshin njëmbëdhjetë vjet prej nënshkrimit të asaj marrëveshjeje, dhe sipas saj Prishtina nuk po e themelonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Kurti e kërkoi një replikë në këtë pikë, duke u shprehur si vijon:

“Mbështetja në Kosovë për BE-në është 94 për qind. Në Serbi është 36. Kosova ka vënë sanksione ndaj Rusisë. Serbia as që po mendon për një gjë të tillë…”

Exit mobile version