Site icon PrishtinaPress

Deputetja e VV’së dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm në rigjykimin për korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Jetmire Vrenezi, ish-drejtori i Inspektoratit, Islam Thaçi, Egzonë Morina-Thaçi, Shqipron Krasniqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj u deklaruan të pafajshëm në rigjykimin për korrupsion.

Në këtë seancë trupi gjykues pati ndryshim, ku në vend të gjykatëses Kimete Kicaj u vendos gjykatësja Teuta Krusha, me ç’rast gjatë gjykimit u dha edhe fjala hyrëse nga ana e avokatëve të të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prizren, më 17 maj 2022, kishte dënuar deputeten e Vetëvendosjes, Jetmire Vrenezin dhe Thaçin me nga 3 vite burg dhe dy mijë euro gjobë, ndërsa Morina- Thaçi, Taraku, Bislimaj dhe Krasniqi ishin liruar nga akuza për korrupsion. Mirëpo, Gjykata Apelit, më 23 dhjetor 2022, çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Në fillim të seancës, të akuzuarit, të pyetur nga kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, në lidhje me pranimin e fajësisë, Jetmire Vrenezi, ish-drejtori i Inspektoratit, Islam Thaçi, Egzonë Morina-Thaçi, Shqipron Krasniqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, u deklaruan të pafajshëm.

Në fjalën hyrëse, prokurori Mejdi Sefa dhe avokati i të dëmtuarit Irfan Fusha, Taulant Hodaj, deklaruan se qëndrojnë pranë fjalëve hyrëse të dhëna më datën 10 shkurt 2021 dhe datën 24 korrik 2023 dhe gjithashtu mbeten pranë kërkesës pasurore juridike të parashtruar gjatë seancave të kaluara.

Avokati i të akuzuarës Jetmire Vrenezi, Adem Vokshi, gjithashtu ka deklaruar se mbetet pranë fjalës hyrëse të datës 1 shkurt 2021 dhe datës 24 korrik 2023, ku edhe avokatët e tjerë u pajtuan që mbeten pranë fjalëve hyrëse të dhëna më parë.

Në mungesë të të dëmtuarit Fusha, seanca e sotme u ndërpre.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaçi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaçi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, të cilët po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaçi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaçi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SH.P.K në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Exit mobile version