Site icon PrishtinaPress

Deputetët e PDK dhe LDK përplasen rreth nderimit të përvjetorit të masakrës së Poklekut

Deputetët votuan edhe për themelimin e Komisionit Hetimor për ndriçimin e arrestimit dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq. Për këtë komision votuan 66 deputetë për, pesë abstenime dhe asnjë kundër. Deputetët e PDK-së dhe LDK-së janë përplasur rreth nderimit të përvjetorit të masakrës së Poklekut në Drenas.

Përplasja erdhi pasi deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami, mori fjalën për të diskutuar rreth raportit të KOSTT-it, meqë kryetarja e Komisionit përkatës Sala Berisha-Shala, nuk ishte aty, me që po merrte pjesë në përkujtimin e asaj masakre.

“E nderuar kolege deputete mos e baj gajlen time ti hiq, kryej punët tua për të cilat je e thirrur edhe sot po me detyron ta përdorë foltoren këtu. Sot është përvjetori i njërës nga masakrat me të rënda, masakra e Poklekut, në të cilën edhe kam pasur obligim me qenë aty. Nuk është tragjike mos me qenë kryetarja këtu. Ke mundur të diskutosh lirshëm, unë i kam deleguar detyrat e mia edhe mos e baj gajlen ti. Ty s’ta kam përmendur emrin sepse nuk je në hierarkinë së Komisionit”, tha Berisha-Shala.

I menjëhershëm ishte reagimi i deputetes Bajrami, e cila tha se duhet t’iu vijë turp përdorimi i të rënëve për përfitime politike.

“Unë me të vërtetë asnjëherë nuk kisha dashur të jem zëvendësja e juaj. Por, sot kryesuesi ka dashur ta heqë nga rendi i ditës për shkak se askush se merrte fjalën në emër të komisionit. Kështu që mos e mbivlerëso vetveten. I ka thënë sekretarit nuk e qes në votim raportin dhe e potencuat disa herë se raporti është me vonesë. Kështu që mbylle këtë temë, edhe mjaft i përdorët viktimat dhe përvjetorët për përfitime politike, turp duhet me ju ardhur”, tha Bajrami.

Në debat u kyç edhe deputetja tjetër e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila tha se turp duhet t’iu vijë atyre deputetëve, të cilët sot ishte dashur të jenë në Poklek për nderime.

“Nëse këtu vërtet dikujt duhet t’i vijë turp është ajo që foli para meje. E them me sinqeritetin me të madh, sot është dashur që ky Kuvend t’i mbyllë dyert në orën 10:00 dhe të gjithë të ishim në Poklek për të bërë nderime para atyre viktimave që fatkeqësisht familjet e tyre nuk e kanë as nga një varr ku duhet t’iu qesin lule me të dashurve të tyre. 54 anëtarë të familjes Pokleku, të gjithë të varrosur në një varr, dhe ne të akuzohemi pse paskemi shkuar të bëjmë nderime sot atje, është turpi me i madh që dikush në Kuvendin e Kosovës e thotë”, theksoi Musliu.

Për përmbajtje deputetët i ftoi shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se në këtë vend nuk ka rend shtëpie, sepse po të kishin ftesa të gjithë do të ishin në Poklek.

“Unë i lus të gjithë deputetët që të përmbahen nga gjuha që janë duke e përdorur. Nderimi më i madh atyre viktimave iu bëhet nëse gjithë deputetët do ishin paraqitur në orën 10:00 sot në seancë. Deputetët e shumicës dy-tri orë me vonesë paraqiten në seancë, shtyhen seancat për shkak se nuk jeni të rregullt. Nderimi me i madh i atyre viktimave është me funksionuar si duhet institucionet dhe me krye secili detyrën e vet. Po të kishte pasur një organizim të duhur nga Kryesia e Kuvendit, të kishim ftesë gjithë deputetët, të gjithë do ishim duke bërë nderime atje. Por, nuk ka rend shtëpie këtu, nuk mund të ketë asnjë seancë të rregullt. Asnjë institucion nuk është duke funksionuar normalisht. Krejt çka ndodh në Kuvend është të fyhet njeri-tjetri. Hapet seanca dhe kryesuesi e quan gënjeshtar një deputet, nuk e përdor debatin, një deputete tash i thotë tjetrit ashtu, çka është ky Kuvend kështu, ku po shkojmë kës htu”, theksoi Hoti.

Ndaj tij reagoj edhe Haliti, duke i thënë se për 15 vjet e kanë sha e akuzuar dhe asnjëherë nuk ka reaguar. Por tani është bërë mjaft dhe është tepruar.

Exit mobile version