Site icon PrishtinaPress

Dënim të përjetshëm të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Naser Pajazitaj akuzohet se me 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj.

Pajazitaj ishte liruar nga akuza për këtë vrasje, por Gjykata e Apelit, më pas e ka kthyer lëndën në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktgjykimin e shpallur nga trupi gjykues, i përbërë nga kryetari Kreshnik Radoniqi dhe gjykatësit Sali Berisha dhe Lumturie Muhaxheri, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Në shpalljen e aktgjykimit, trupi gjykues ka thënë se arsyetimi i vendimit, do tu dorëzohet palëve me shkrim dhe se sipas tyre, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Ndërkaq, para se të shpallej aktgjykimi, të hënën ishin dhënë fjalët përfundimtare nga palët në procedurë.

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë, që ta dënojë me burgim maksimal të pandehurin Naser Pajazitaj, i cili akuzohet për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj.

Një propozim të tillë, e ka dhënë prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj në seancën e së hënës, ku ka përfunduar rigjykimi në këtë rast.

Në seancën e së hënës, ndër të tjera, prokurorja tha se informata e parë që familja e tani të ndjerës për zhdukjen e bijës së tyre, e kishte marr nga tani i akuzuari Naser Pajazitaj.

Sipas saj, është vërtetuar në tërësi se i akuzuari Pajazitaj kishte kryer vrasjen e tani të ndjerës duke e shfrytëzuar besimin dhe padjallëzinë e viktimës dhe e njëjta ishte gjetur në bjeshkët e Strellcit nga dy kalimtarë të rastit.

Prokurorja tha se i akuzuari kishte dhënë disa dezinformata familjarëve të tani të ndjerës, kinse e kishte parë atë në disa vende, mirëpo ky veprim nga i akuzuari, sipas saj, ishte bërë me qëllim të shmangies së gjetjes së trupit të viktimës.

Ndër të tjera, ajo shtoi se përmes kamerave të siguruara ishte vërtetuar fakti se i akuzuari në ditën kritike, nuk kishte qenë në varrimin e një bashkëfshatari.

Ndërkohë, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gëzim Kollqaku kërkoi që i mbrojturi i tij, Naser Pajazitaj të lirohet nga aktakuza në mungesë të provave.

Kollqaku tha se i mbrojturi i tij nuk e kishte marrë tani të ndjerën me veturë, sipas tij, vërtetohet nga raporti i ekzaminimit të makinës së të akuzuarit të kryer në Ankara të Turqisë.

Sipas avokatit Kollqaku në vendin e ngjarjes nuk ishin gjetur asnjë gëzhojë e armës, ndërsa në veturën e të pandehurit nuk janë gjetur mostra të fijeve të flokut të Donjeta Pajazitaj.

Kurse, Naser Pajazitaj në fjalën e tij përfundimtare, tha se betohet se ai nuk kishte të bënte me vrasjen e Donjeta Pajazitaj dhe se nuk dinte asgjë me vrasjen  e saj.

Pas precizimit të aktakuzës nga prokuroria ku është heq pjesa lidhur me armën e panjohur me të cilën pretendohet se është përdorë për kryerjen e vrasjes, i akuzuari e pranoi fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes dhe disa fishkë të gjetur në shtëpinë e tij.

Ndryshe, para dhënies së fjalës përfundimtarë, janë lexuar provat materiale dhe janë transmetuar video-incizimet ku shihet vetura e të pandehurit Naser Pajazitaj në ditën kritike pranë shtëpisë së Jusajve, për të cilën, prokuroria  pretendon se e i akuzuari e kishte marrë Donjeta Pajazitaj.

Gjithashtu, është shikuar edhe video-incizimi ku i akuzuari në një aheng familjar gjuan me armë të zjarrit.

I akuzuari Naser Pajazitaj, e shfrytëzoi të drejtën e tij, ligjore sikurse në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësore të mbrohet në heshtje.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të këtij viti, të akuzuarin Naser Pajazitaj e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, kurse e kishte dënuar për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, për çka Pajazitaj, ishte dënuar me dënim unik prej një dy vjet e katër muaj burgim.

Sipas këtij aktgjykimi, nuk ishte arritur të dëshmohet se i akuzuari kishte kryer vrasjen e Donjeta Pajazitajt, që ndryshe ka qenë edhe kushërira e tij.

Mirëpo, në tetor të këtij viti, pas ankesës që Prokuroria Themelore në Pejë kishte ushtruar kundër këtij aktgjykimi, gjykata e shkallës së dytë ka vendosur që rastin ta kthej në rigjykim.

Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” theksohet se gjykata e shkallës së parë, nuk ka arritur të vërtetojë në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike, ngase sipas Apelit, ka kundërthënie në deklaratën e dëshmitarëve Arjeta Ukaj, vajza e të akuzuarit mes deklaratës së saj dhe prindit Naser Pajazitaj, i cili ka deklaruar se ditën kur ka ndodhë vrasja e tani të ndjerës Donjeta, ka dalë me vajzën e tij dhe pastaj ka shkuar në varrim, mirëpo gjatë dëgjimit në prokurori e njëjta ka deklaruar se ditën kur është zhdukur Donjeta ‘unë nuk kam dal nga shtëpia’, mirëpo pas presionit nga familjarët, e njëjta e ka ndryshuar deklaratën.

Po ashtu sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë duhet të administrojë provat dhe të vërtetojë vendndodhjen e të akuzuarit në ditën kritike dhe se e ndjera Donjeta Pajazitaj a ka qenë në veturën e tani të akuzuarit, ngase nga raporti i hetuesve Albrim Mujaj dhe Veton Kelmendi është konstatuar se një dëshmitar që ka dashur të mbetet anonim, kishte deklaruar se ditën kritike rastësisht e ka vërejtur Naser Pajazitaj, me veturën “Grand Shiroka”, pikërisht afër shtëpisë së Haki Pajazitaj, i cili ishte ndalur më 13:40, dhe kishte marrë ndokënd, e që dyshon se pikërisht kishte marrë të ndjerën Donjeta Pajazitaj.

Sipas Apelit, nga kjo del se një vërtetim i tillë i gjendjes faktike, është nxjerrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384 par.1 nënpar.1.12.

Sipas  aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur më 8 qershor 2017, Naser Pajazitaj akuzohej se me 9 nëntor 2015 rreth orës 14:30 në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta të ndjerën Donjeta Pajazitaj. Derisa e ndjera ka qenë duke shkuar në punë në këmbë, aty kalon i pandehuri me veturën e tij, e merr të ndjerën, e dërgon në bjeshkët e lartcekura, ku fillimisht e privon nga jeta duke shtënë dy herë në kokë të saj, e më pas për të humbur gjurmët të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Trupi i të ndjerës gjendet pas më shumë se një muaji.

Me këtë, Pajazitaj akuzohej se ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë” nga neni 179 par 1 pika 1.4 dhe 1.12 të KPRK-së.

Aktakuza të njëjtin e ngarkonte edhe me vepër penale të “mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim te paautorizuar të armëve” nga neni 374 par 1 të KPRK-së, gjegjësisht të një arme automatike, pushkës se gjuetisë, 12 fishekë dhe një armë e tipit “AK 47”.

 

Exit mobile version