Site icon PrishtinaPress

Davos 2019: Disa prej çështjeve kryesore të Forumit Ekonomik Botëror të këtij viti

Liderë globalë, titanë të korporatave të ndryshme, akademikë dhe mendimtarë u takuan mëngjesin e ditës së sotme në rezortin e skive në Davos, për të zhvilluar takimin e përvitshëm të Forumit Ekonomik Botëror.

Rreth 3,000 pjesëmarrës janë bashkuar në qytetin alpin të Zvicrës për takimin e elitës globale që këtë vit përmban rreth 350 sesione, të përqendruara në çështje si përmirësimi i bashkëpunimit global, trajtimi i ndryshimeve klimatike dhe revolucioni dixhital.

1. Liderët botërorë që nuk do të jenë të pranishëm në Davos 2019

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, së bashku edhe me disa liderë të tjerë botërorë, përfshirë Kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May dhe Presidentin Emmanuel Macron të Francës e kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre në Davos, për shkak të vështirësive të shumta në shtetet e tyre respektive. Sipas tyre, disa prej temave kryesore që do të diskutohen janë ato të një bote të mbushur plot me trazira dhe e nxitur kryesisht nga lëvizjet anti-establishment dhe ato populiste.

Trump, i cili mbajti fjalimin kryesor në forumin e vitit të kaluar, e anuloi pjesëmarrjen e tij në këtë takim, duke qenë se qeveria amerikane ende nuk e ka miratuar kërkesën për një buxhet federal që përfshin fondet për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën.

Javën e kaluar, z. Trump vendosi që edhe pjesa tjetër e delegacionit të SHBA-së, duke përfshirë këtu Sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin dhe Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo të mos merrnin pjesë në takimin e sivjetshëm të Forumit Ekonomik Botëror. Ata priteshin të flisnin për çështje të ndryshme, si e ardhmja e Amerikës në sistemin ekonomik botëror.

Në Londër, znj. May e anuloi pjesëmarrjen pas një disfate të rëndë parlamentare mbi marrëveshjen e propozuar prej saj mbi Brexit.

Ndërsa arsyeja e mungesës së liderit të Francës, z. Macron, ishte si pasojë e protestave të shumta që tronditën Francën nga rritja e taksës së naftës. Mungesa të tjera të rëndësishme janë edhe ato të Xi Jinping, Kryeministrit kinez i cili po përballet me një ngadalësim ekonomik të shtetit të tij dhe Narendra Modi të Indisë, i cili po përballet me zhvillimin  e një fushate rizgjedhjesh, mes goditjes së disfatës së turpshme të partisë së tij në zgjedhjet shtetërore muajin e kaluar.

Megjithatë, në këtë takim janë të pranishëm edhe shumë liderë të tjerë botërorë të rëndësishëm, duke përmendur këtu Angela Merkelin e Gjermanisë, Giuseppe Conten të Italisë dhe Presidentin e ri brazilian, Jair Bolsonaro.

2.Debutimi i parë i Bolsonaros së Brazilit përballë liderëve botërorë

Më pak se një muaj pas ardhjes së tij në pushtet, lideri i Brazilit, Jair Bolsonaro do të mbajë fjalimin e tij të parë përballë liderave të ndryshëm botërore, pasditen e sotme. I etiketuar ndryshe si “Trumpi i Tropikut” ai do të jetë një prej emrave më të diskutueshëm të këtij viti dhe një prej personave që do të marrë numrin më të lartë të kritikave në lidhje me çështje të tilla si mjedisi dhe të drejtat e njeriut.

Ish-kapiteni ushtarak fitoi zgjedhjet e fundit në Brazil duke premtuar politikë të vijës së ashpër në luftën kundër krimit, si  edhe premton të kombinojë “vlerat tradicionale familjare” me liberalizmin ekonomik. Megjithatë, në të kaluarën e tij ai përmendet për qëndrime diskriminuese kundër homoseksualëve, shtypjes së të drejtave të grave, njerëzve me ngjyrë dhe njësoj si Z. Trump, ai është një skeptik i ndryshimeve klimatike.

3. Trajtimi i ndryshimeve klimatike do të jetë në qendër të vëmendjes

Në listën që Forumi Ekonomik Botëror u kërkoi pjesëmarrësve që të plotësonin në lidhje me një prej çështjeve më shqetësuese për ta, kryesonte “shqetësimi për ndryshimet klimatike”. Anëtarët e Forumit frikësohen se ngjarjet ekstreme të motit po bëhen gjithnjë e më të zakonshme dhe se bota nuk ka një mekanizëm efektiv për t’iu përgjigjur një situate të tillë alarmante.

Disa çështje të tjera të cilat përbëjnë shqetësim për të pranishmit në Davos 2019 janë edhe armët e shkatërrimit në masë, dhe krimi kibernetik. Me rritjen e nacionalizmit dhe nxitjen e proteksionizmit ekonomik, ekziston frika në rritje që shtete të ndryshme mund t’i kthejnë kurrizin bashkëpunimit global për çështjen e ndryshimeve klimatike, ashtu siç bëri z. Trump duke u tërhequr nga Marrëveshja e Klimës së Parisit në 2015.

Mënyra sesi liderët do ta organizojnë këtë takim do të jetë një prej pikave më të rëndësishme të Davos 2019. Këtu do të zhvillohet një debat ku i pranishëm në panel do të jetë veterani dhe natyralisti, 92-vjeçari, Sir David Attenborough, që është njëkohësisht edhe anëtari më i vjetër në moshë i pranishëm në këtë takim. Në panel do të jenë gjithashtu edhe Al Gore, ish-Zëvendëspresidenti i SHBA-së, dhe Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern. Sir David do të intervistohet nga Princi William, Duka i Kembrixhit.

4. Sfond i zymtë ekonomik si pasojë e ngadalësimit të rritjes globale

Optimizmi arriti kulmin vitin e kaluar në Davos, por fatkeqësisht sfondi ekonomik ka ndryshuar shumë. Me përshkallëzimin e luftës tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Kinës, pasigurisë mbi Brexit, paqëndrueshmërisë së tregjeve financiare dhe situatës së vështirë të qeverisë amerikane, pesimizmi po rritet.
Në Parashikimin e saj ekonomik, FMN-ja tha se ekonomia globale po dobësohej më shpejt se sa ishte parashikuar. Shifrat e reja përfaqësojnë një ndryshim të rëndësishëm për opinionin global dhe vijnë si rezultat i të dhënave të dobëta në Europë dhe Azi. Të dhënat e reja të PBB-së së Kinës, treguan se rritja tani ishte ngadalësuar për tre tremujorë radhazi, duke rritur shqetësimin midis investitorëve se situata mund të ndikonte negativisht edhe në ekonominë globale.
Ekonomia kineze, e cila kontribuoi me një të tretën në rritjen globale, është gjithashtu një prej çështjeve më të rëndësishme të Davos 2019. Nesër, do të jetë Zëvendëspresidenti kinez ai që të do të mbajë fjalimin në këtë takim (si pasojë e mungesës së z. Jinping), duke u përpjekur që t’u krijojë besim investitorëve dhe drejtuesve të bizneseve për të ardhmen e ekonomisë së Kinës dhe reformave që ajo synon të ndërmarrë.

Exit mobile version