Site icon PrishtinaPress

Daçiq: Nuk e dëgjojmë Amerikën për njohjen e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se ai është avokues i raporteve më të mira të mundshme me Shtetet e Bashkuara, por Serbia nuk mund t’i dëgjojë ata dhe ta njohë Kosovën.

Në festimin e Ditës së Amerikës në Parlamentin serb – ngjarje e organizuar nga Kongresi për miqësi serbo-amerikane – Daçiq tha se kushdo që tenton t’i bëjë presion Beogradit që ta njohë Kosovën, nuk do të ketë sukses.

“Një qasje e tillë për çështjen e zgjidhjes së situatës në Kosovës nuk do të ketë kurrë sukses. Ne kemi nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit dhe vazhdojmë të jemi partner konstruktiv në dialog”, tha Daçiq.

Daçiq tha se raportet e Serbisë me Rusinë nuk kanë të bëjnë aspak me raportet që ka Beogradi me shtetet perëndimore.

“Kur ka qenë hera e fundit kur një president amerikan ka vizituar Serbinë? Shumë nga ne as që ishim në jetë. Kryeministrja e fundit e Britanisë që na vizitoi ishte Margaret Thatcher. Ata kanë vizituar të gjitha shtetet e tjera, a mendoni se ata nuk e vizitojnë Serbinë veç pse nuk është e fortë? Jo, si mundet që ne të kemi një raportet partneriteti me shtetet që nuk janë në interesin tonë”, tha kryediplomati serb.

Në anën tjetër, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se raportet mes Serbisë dhe SHBA-së janë të qëndrueshme dhe nuk varen me zhvillimet në shtetet tjera.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por dy shtetet që nga viti 2011 zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve. Ky proces ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Kosova kërkon që një marrëveshje eventuale në fund të procesit të përfshijë njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia synon të arrihet një zgjidhje kompromisi – pa elaboruar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Exit mobile version