Site icon PrishtinaPress

BQK: Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje rreth 3.7%

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se sipas vlerësimeve preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2017, vlera nominale e BPV-së arriti në 6.3 miliardë euro.

Në terma real, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej rreth 3.7 për qind.

Në kuadër të kërkesës së brendshme, aktiviteti i përgjithshëm në vend u mbështet nga përforcimi i pozicionit të investimeve, përderisa sipas ASK-së, konsumi i përgjithshëm u karakterizua me rënie.

Kontribut pozitiv në rritjen reale të BPV-së kishte edhe pozicioni i neto eksporteve, që rezultoi nga rritja e theksuar vjetore me të cilën u karakterizua komponenta e eksportit të mallrave dhe shërbimeve.

“Rritja e aktivitetit ekonomik është gjeneruar kryesisht nga rritja e investimeve prej 10.7 për qind (kryesisht rritjes së IHD-ve dhe kredive investive), si dhe rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve prej 23.8 për qind kundrejt rritjes së importit të mallrave dhe shërbimeve prej 5.5 për qind.

Në vitin 2017, rritja e kërkesës së jashtme, si dhe rritja e çmimeve të metaleve në tregjet ndërkombëtare është përkthyer në rritje të vlerës së gjithsej eksporteve të vendit në vitin 2017”, ka njoftuar BQK-ja në raportin vjetor për vitin 2017, shkruan Telegrafi.

Megjithatë, në të njëjtën periudhë, rritja e investimeve private është shoqëruar me rritje të vlerës së importeve të mallrave të ndërmjetme dhe mallrave kapitale.

“Konsumi është vlerësuar të ketë shënuar rënie vjetore prej 1.6 për qind.

Sipas qasjes së prodhimit, aktiviteti ekonomik vlerësohet të jetë mbështetur kryesisht nga sektori i shërbimeve dhe ndërtimit, konkretisht, rritja e vlerës së shtuar nga sektori financiar (22.6 për qind), sektori i ndërtimit (12.4 për qind), dhe tregtisë (6.2 për qind).

Ndërsa, rënie reale vlerësohet të jetë shënuar tek administrimi publik (1.6 për qind) dhe shërbimet tjera (18.4 për qind)”, thuhet në raportin e BQK-së.

Exit mobile version