Site icon PrishtinaPress

Blerim Kuçi flet për herë të par rreth tenderit 5 milionësh, që fitoi kompania e tij!

Ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi është deklaruar rreth çështjes: “Kompania e ministrit Kuçi shpërblehet me tender 5 milionësh”

Ai tregoi se kompania “Hidroterm” është pronë e tij që nga viti 1991.

“Para politikës, unë kam një jetë profesionale dhe kam punuar me këtë kompani në shumë projekte në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi”, ka thënë ai.

“Unë nuk mund të inkurajoj kompaninë që të tërhiqet pasi janë rreth 250 punëtorë në zinxhirin e të punësuarve edhe indirekt në punët e “Hidroterm”. Gjithashtu, nuk mund ta inkurajoj të tërhiqet pasi gjithçka ka shkuar sipas rregullave. Por, mund të ju sigurojë se posti im nuk do të ketë asnjëherë asnjë ndikim për të përfituar personalisht. Kam kaq shumë vite në politikë dhe nuk kam asnjë akuzë për korrupsion apo aferë tjetër të jashtëligjshme”, thuhej në reagim.

Sqarimi i plotë i ministrit Kuçi:

“Të nderuar,

Këto ditë keni mundur të lexoni në shumicën e mediave online një lajm që kompania ime ka fituar tender me vlerë 5 milionë euro.

Në parim, në lajmet e publikuara nuk ka asgjë të pavërtetë. Por, lidhja ime se të qenit ministër e ka bërë të mundur marrjen e këtij tenderi, është e pavërtetë.

Kompania “Hidroterm” është pronë e imja që nga viti 1991. Para politikës, unë kam një jetë profesionale dhe kam punuar me këtë kompani në shumë projekte në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.

Tenderi për të cilin është shkruar dhe jam sulmuar nga shumëkush në rrjete sociale, por edhe në emisione televizive është për ndërtimin e Spitalit “Nëna dhe Fëmija” në Prizren. Autoritet kontraktues është Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHKSUK).

Më 31.07.2019 është bërë njoftimi për shpalljen e tenderit për të konkurruar.

Më 30.08.2019 është bërë dorëzimi i dokumentacioneve teknike dhe ofertës.

Më 29.10.2019 të gjithë ofertuesit, përfshirë edhe kompaninë “Hidroterm”, shpallen të papërgjegjshëm nga Autoriteti Kontraktues.

Pas kësaj, vetëm “Hidroterm” dhe një kompani tjetër ankohen për këtë vendim.

Më 10.12.2019, pas ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit, lënda kthehet në rivlerësim.

Më 26.12.2019, Autoriteti Kontraktues – SHSKUK shpall fituese një kompani tjetër, e cila ishte më e shtrenjtë se sa kompania “Hidroterm”, e që është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit.

Pas këtij vendimi, “Hidroterm” ankohet përsëri në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Më 11.03.2020 Organi Shqyrtues i Prokurimit aprovon ankesën e “Hidroterm” si të bazuar dhe lënda kthehet përsëri në rivlerësim.

Më 08.04.2020 Autoriteti Kontraktues – SHSKUK e shpall fituese kompaninë “Hidroterm”.

NË ATË KOHË NUK KAM QENË MINISTËR E AS DEPUTET.

Për shkak të procedurave të ankimit dhe proceseve tjera procedurale, nënshkrimi i kontraktës është bërë më 6 tetor 2020.

Pra, këtu mund ta kuptoni shumë lehtë se nuk ka asnjë lidhje mes postit tim si ministër dhe këtij tenderi të fituar nga kompania ime që në Prill të këtij viti, kur s’kam pasur asnjë post.

Unë nuk mund të inkurajoj kompaninë që të tërhiqet pasi janë rreth 250 punëtorë në zinxhirin e të punësuarve edhe indirekt në punët e “Hidroterm”. Gjithashtu, nuk mund ta inkurajoj të tërhiqet pasi gjithçka ka shkuar sipas rregullave. Por, mund të ju sigurojë se posti im nuk do të ketë asnjëherë asnjë ndikim për të përfituar personalisht. Kam kaq shumë vite në politikë dhe nuk kam asnjë akuzë për korrupsion apo aferë tjetër të jashtëligjshme.

Ndihem i pastër në ndërgjegjen time dhe këtë sqarim e bëra që t’iu sigurojë se jam personi i njëjtë që kam qenë gjithmonë.

Ftoj secilin autoritet shtetëror dhe organ të akuzës të shuajnë kureshtjen e shumëkujt për ndërhyrje apo jashtëligjshmëri”.

Blerim Kuçi

Exit mobile version