Site icon PrishtinaPress

Berisha ironizon me Kurtin lidhur me “Urën e Saradranit”

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ironizoi me kryeministrin Albin Kurti gjatë seancës së sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, duke ia përmendur investimin në “Urën e Saradranit”, për të cilën i tha se u bë sensacion turistik e që do të lidhë edhe tregtarë ndërkombëtarë.

“Ne si opozitë ndonjëherë e kritikojmë qeverinë për mospunën, mirëpo kur qeveria bën një punë të mirë, normalisht që edhe i falënderohemi”.

“Unë doja ta shfrytëzoja rastin që ta falënderoj këtu, meqë qenka edhe kryeministri, pasi që kjo qeveri investimin më të madhin e ka pasur në fshatin tim të lindjes, projekti i ashtuquajtur “Ura e Sarandanit” që i lidh dy fshatra, Ruhotin edhe Saradranin apo anasjelltas, pra desha ta falënderoj për këtë projekt edhe në emër të atyre fshatrave”.

“Kjo urë u bë edhe sensacion turistik, do të lidhë edhe tregtarë ndërkombëtarë të ndryshëm. Po ashtu përmes kësaj ure do të munden ato fshatra të lidhen edhe me Evropën sepse mund të dalin në rrugë magjistrale e pastaj përmes aeroportit të Prishtinës mund të shkojnë ku të duan në Evropë”, deklaroi Berisha, duke nxitur të qeshura në mesin e bashkëpartiakëve të tij deputetë.

Ai vazhdoi tutje duke e parashtruar edhe një kërkesë ndaj kryeministrit Kurti.

“Tash meqë e ke ndërtuar atë urë, me bë edhe një investim në një këso shtëpie të lisave për të luajtur fëmijët, të jetë e përmasave përafërsisht sa ura. Do të ishim shumë falënderues. Përndryshe të falënderoj shumë”, përfundoi deputeti Berisha.

Exit mobile version