Kryeministri Albin Kurti, duke folur për planin franko-gjerman në foltoren e Kuvendit, ka bërë një deklaratë të çuditshme. Ai ka përmendur “vendimin e pesë shteteve të BE-së për ta njohur Kosovën”.
Në fakt, Kurti në foltoren e Kuvendit ka qenë duke lexuar një përgjigje kur ka pohuar se në ka një “vendim” për njohjen nga pesë shtetet e BE-së, që janë Greqia, Spanja, Rumania, Qipro dhe Sllovakia, të cilat ende s’e njohin Kosovën.
“Tash edhe vendimi i pesë shteteve mosnjohëse të Bashkimit Europian për ta njohur Kosovën, për të cilin ne jemi duke punuar dhe përmes saj anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe marrja e statusit shtet-kandidat i BE-së dhe anëtarësimi në Këshill të Europës dhe Konventës së saj është një gjë tejet qendrore në angazhimin tonë të mëtutjeshëm”.
Siç dihet njohja është akt sovran i secilit shtet dhe vështirë që mund të ketë një vendim të përbashkët për njohjen e Kosovës nga këto shtete, që Kurti lë të kuptohet se është vendosur, në bazë të formulimit të tij.
Pas kësaj deklarate, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, i kërkoi kryeministrit që ta publikojë këtë vendim meqë vetë ai e përmendi atë.
“Po shohim që pra që paska ndryshim, ka garanci ndërkombëtare. A na tregon, të jesh transparent me ne, që të na tregosh vendimin e vendeve që janë jonjohëse për njohje të Kosovës. Ju vetë thatë që vendimin e pesë shteteve që s’e kanë njohur Kosovën kanë marrë vendim që ta njohin. Ju lutem, e bën këtë vendim publik!”.
Kurti përsëriti se plani i BE-së parasheh normalizim të marrëdhënieve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku njëra-tjetrën e njohin de facto.