Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi një kilogram substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, një sasi marihuane, armë automatike dhe municion gjatë bastisjes së një shtëpie dhe objekteve përcjellëse në Gjakovë.
Sipas njoftimit të Policisë, bastisja është realizuar më 27 tetor, nga hetuesit e Sektorit Rajonal për Trafikim me Narkotikë, në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Gjakovë. Objekti i bastisur ishte pronë e një personi të dyshuar, mashkull kosovar, i lindur në vitin 2004.
Gjatë aksionit, si prova janë konfiskuar rreth 1 kilogram e 9 gramë kokainë dhe 4.14 gramë marihuanë, një armë automatike, një karikator me 24 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy karikatorë me 20 fishekë të kalibrit PPU 32.





