Ndonëse vazhdimisht deklarojnë se janë për një bashkëpunim të mirëfilltë për rrëzimin e Qeverisë dhe për ndaljen e presidentit Hashim Thaçi në bërjen e “pazareve” me territore, partitë opozitare nuk po arrijnë dot ta krijojnë një plan për t’i realizuar këto dy synime.
LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje dhe PSD-ja ende nuk kanë ndërmarrë asnjë hap sa i përket ngritjes së mocionit për rrëzimin e Qeverisë, ndonëse LDK-ja gjatë tërë kohës po pohon se janë duke punuar për ngritjen e mocionit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndërkohë, pas protestës së organizuar nga LVV-ja më 29 shtator 2018, kundër presidentit Thaçi dhe ideve të tij për çështjen e korrigjimit të kufirit, ky subjekt ka paralajmëruar protesta të serishme në ditët në vijim.
Porse asnjëra prej partive tjera në opozitë (LDK, PSD) nuk kanë konfirmuar nëse do të dalin në protestën e radhës.
Megjithëkëtë, përfaqësuesit e të tria partive që nuk janë pjesë e pushtetit aktualisht vlerësojnë se bashkëpunimi opozitar është i domosdoshëm.