Në një fjalim të mbajtur para grave të mbledhura në ‘çadrën e lirisë’, kreu i opozitës, Lulzim Basha u garantoi atyre më shumë respektim të të drejtave dhe vlerësim për punën e tyre të palodhur.
Në një shenjë proteste dhe me kërkesën e largimit të Ramës nga posti i kryetarit të qeverisë, gratë e PD-së janë rreshtuar në formën e një kordoni përpara Kryeministrisë. Basha tha se brezi i mëparshëm u rri me gënjeshtrën se 8 Marsi ishte festa e grave, porse në fakt, “8 Marsi është një ditë proteste dhe përkujtimi.
“Një ditë proteste në të gjitha vendet dhe të gjitha shoqëritë, ku nënat, motrat, bashkëshortet tona nuk i kanë të garantuara të drejtat kushtetuese dhe legjitime që ua jep ligji: për të drejtat, për punë të barabartë, për mbështetje në detyrën e jashtëzakonshme që u ka ngarkuar familja, shoqëria. Këto të drejta, për arsim, punësim, pagë të barabartë dhe përfaqësim janë të drejta të kërcënuara në vendet diktatoriale por edhe në ato vende që e konsiderojnë veten si demokraci, por e kanë fasadë. Ky është problemi i Shqipërisë: Qeveria, parlamenti, demokracia – fasadë rëndon mbi të gjitha mbi gratë shqiptare. E kanë parë të gjithë miqtë tanë sesi në Parlamentin e Shqipërisë gratë shqiptare u spostuan për t’i bërë vend kopukëve të akuzuar, kryesisht për trafikim të nënave dhe motrave shqiptare. Një kryeministër që e ka gojën plot kur vjen fjala për të drejtat e grave, e ka bilancin e zi. Jo më shumë se një javë më parë Shqipëria është renditur në krye të listës së trafikut të qenieve njerëzore. Kjo ka shumë arsye, duke nisur nga kriza ekonomike, që ka prekur dhe shkatërruar familjet shqiptare, duke goditur rëndë dhe në radhë të parë gratë dhe vajzat shqiptare. Më lejoni ta them me gojën plot se e keqja më e madhe në këtë vend që ka shkaktuar këtë zmbrasje të grave në shoqërijnë shqiptare, që ka nëpërkëmbur dinjitetin, është modeli që Edi Rama ka sjellë në pushtet. Ky nuk është modeli i nderimit dhe respektit për punën dhe përkushtimin e nënave shqiptare, siç pretendon kryeministri fasadë. Ky është modeli i trafikantëve të dënuar në Itali, Belgjikë, si tutorë prostitucioni, që tani e 4 vjet krekosen si drejtorë e deputetë të qeverisë së korruptuar të Edi Ramës. Ky është modeli i hipokrizisë dhe pafytyrësisë që nga njëra anë flet për të drejtat e grave dhe nga ana tjetër promovon dhunuesit më të egër të tyre”, tha Basha.
Ndërsa deputetja e PD-së Albana Vokshi paralajmëroi nëse nuk largohet vetë Edi Rama, atëherë do të jenë gratë në ballë të protestës. “Edi Rama ik. Nëse ti nuk ikën vetë, gratë do të jenë në ballë të protestës”, tha ajo.