Site icon PrishtinaPress

Banka Botërore në Kosovë thotë se po nis një studim të ri për menaxhimin e cilësisë së ajrit

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka marrë pjesë në punëtorinë për menaxhimin e cilësisë së ajrit në Kosovë, organizuar nga Banka Botërore (BB) dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), në të cilën pjesëmarrës ishin edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, e shumë ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.

Në hapjen e kësaj punëtorie, ministrja Reshitaj ka thënë se Kosova ndodhet në një fazë të rëndësishme në plotësimin e kritereve të kërkuara për anëtarësim në Bashkimin Evropian ku ndër fushat me rëndësi edhe mjedisi i pastër.

“Pavarësisht se përmirësimi i cilësisë së ajrit është një sfidë e madhe, unë nuk kam hezituar që të merrem direkt me këtë problematik në mënyrë të gjetjes së shkaktarëve dhe marrjes së masave për ta përmirësuar atë. Si ministri jemi në përgatitje të instalimit të softuerit qendror për mbledhjen e të dhënave të cilësisë ajrit nga stacionet monitoruese dhe paraqitja e tyre në kohë reale përmes ueb-aplikacionit dhe Smart Phoneve (Android dhe iOS);

Ministrja Reshitaj ndër tjera ka thënë se do të përkrahen projekte dhe aktivitete që kanë qëllim promovimin e energjisë së ripërtëritshme dhe efiçiencën e energjisë, si dhe të rriten caqet për energjinë solare dhe të erës.

Ndërkaq, Marco Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore në Kosovë, ka thënë se ajri në Prishtinë dhe përgjithësi në Kosovë, sidomos gjatë dimrit është i rënduar dhe ndryshimi i kësaj gjendjeje kërkon angazhim nga të gjithë.

“Është kënaqësi e madhe të jem sot këtu për të hapur këtë Punëtori për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit në Kosovë dhe për të nisur një studim të ri për menaxhimin e cilësisë së ajrit. Synimi është të përcaktohet saktë problemi, në mënyrë që të gjenden zgjidhje reale. Kjo punë analitike përqendrohet në mbledhjen e më shumë dëshmive për ta trajtuar më mirë ndotjen e ajrit të mjedisit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoni, deklaroi Mantovanelli.

Ai sqaroi se ky studim do të analizojë ndikimet shëndetësore dhe ekonomike të ndotjes së ajrit. Krahas kësaj do të mundohet të kuptojë se prej nga vjen ndotja dhe cili është kontributi relativ i secilit burim në problemin e ndotjes së ajrit.

Punëtoria është organizuar në kuadër të iniciativës së Bankës Botërore për punë analitike në fushën e menaxhimit të cilësisë së ajrit në disa vende të Ballkanit Perëndimor.

 

Exit mobile version