Site icon PrishtinaPress

Qortimi i Tinka Kurtit shtyn Glauk Konjufcën drejt krahut të Molliqajt?

Dardan Molliqaj kishte nisur dje debatin kundër Glauk Konjufcës, duke e pyetur pse Lëvizja Vetëvendosje e kishte injoruar duke mos e paralajmëruar në faqen e saj pjesëmarrjen e tij në emision, siç bën gjithmonë kjo parti. Doli se këtë s’e kishin bërë sepse Konjufca nuk kishte marrë leje nga sekretariati për media. Zëdhënësja e VV-së, Tinka Kurti, publikisht goditi Konjufcën për përballjen me Molliqajn.

Glauk Konjufca është i pozicionuar kah krahu i Albin Kurtit, por më i heshturi nga të gjithë. Ai nuk ka sulmuar bashkëpartiakët e tij të dorëhequr publikisht, deri dje, kur u vu përballë Molliqajt në Rubikon të KTV-së.

Tutje, doli që Konjufca nuk i kishte pyetur sekretariatin për media kur kishte vendosur të marrë pjesë në debat me Molliqajn. Pakënaqësinë e shprehu me anë të një postimi në Facebook, zëdhënësja e kësaj partie, e cila së fundmi është bërë anëtare e kryesisë së VV-së.

Tinka Kurti që ka sulmuar pareshtur krahun e Molliqajt, ka rritur kompetencat dhe dje e konfirmoi këtë me qortimin e saj ndaj Konjufcës, pse ky shkoi në debat me Molliqajn. Neutraliteti i Konjufcës, siç duket, e pengonte Kurtin.

Se Konjufca nuk i sheh si armiq krahun e Molliqajt, tregoi edhe sjellja e tij sot në Kuvend në mbrojtje të menjëhershme të Frashër Krasniqit, që kishte dhënë dorëheqje nga strukturat e VV-së për shkak të pakënaqësisë ndaj Albin Kurtit.

Pasi kryeparlamentari Kadri Veseli ia ndali fjalën deputetit Frashër Krasniqi, i cili është në anën e Dardan Molliqajt, Konjufca ishte i pari që reagoi menjëherë ndaj Veselit.

Shefi i GP të Vetëvendosjes, i shkoi te vendi kryeparlamentarit duke tërhequr gjithë grupin parlamentar jashtë sallës.

Në kushte normale kjo do të ishte diçka që do të duhej të bënte secili shef i grupit parlamentar, pa rënë në sy. Por, Lëvizja Vetëvendosje, e përçarë, ka dy palë grupe të deputetëve. Konjufca, shef i të gjithëve, por zyrtarisht i pozicionuar kah Albin Kurti.

“Ne do ta ngremë shkeljen e rregullores. Kadri Veselit nuk ia ka lanë baba Kuvendin. Ky post nuk udhëhiqet me qejfe”, tha Konjufca në korridorin e Kuvendit pas largimit nga seanca.

Konjufca, ndryshe nga përkrahësit e ndjekësit e tjerë të Albin Kurtit, ka qenë gjithmonë më i rezervuar. Ai pranoi se nuk del nga Vetëvendosja, por nuk i shante shokët e tij që po dilnin, siç bënin anëtarë që po e kryqëzonin publikisht prej Dardan Molliqajt e tutje listën e të dorëhequrve.

Debatin e mbrëmshëm Molliqaj e nisi duke thënë se i vjen keq pse është përballë Konjufcës sepse ky nuk paraqet plotësisht krahun e Albinit. Molliqaj i drejtohej Konjufcës si palë e tretë, i cili ka vendosur të qëndronte në Vetëvendosje, por se, sipas tij, kishte pasur raste kur edhe ai nuk ishte pajtuar me Kurtin.

 

Exit mobile version