Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri është takuar me Presidentin e vendit, Hashim Thaçi për të folur për gjendjen e vendit.
Bahtiri në një bisedë për “Gazeta Blic”, ka thënë se së bashku me Thaçin janë zotuar që dialogu të përmbyllet suksesshëm.
Përveç kësaj, Bahtiri ka thënë se në këtë takim me Presidentin Thaçi janë zotuar se do të respektohet kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Folëm për gjendjen në Mitrovicë, u zotuam që dialogu duhet të përfundojë me bashkimin e qytetit të Mitrovvicës, kthimin e 12 000 qytetarëve të shpërngulur me dhunë nga veriu dhe respektimin e kërkesës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën”, ka deklaruar Bahtiri.
Theksojmë se sot Presidenti Hashim Thaçi ka mbajtur një konferecë për media në lidhje për çështjen e dialgout me Serbinë.
Thaçi ka theksuar se në kuadër të procesit të dialogut, Kosova dhe Serbia e kanë mbështetjen e plotë nga faktori relevant ndërkombëtar vendimmarrës për të arritur marrëveshje paqësore, duke mos e përjashtuar në asnjë formë edhe opsionin e korrigjimit të kufijve.
”Unë e kuptoj reagimin e nxituar dhe të pamatur të disa individëve apo partive politike lidhur me korrigjimin e kufirit si opsion përfundimtar paqësor. Mirëpo, ne nuk kemi mundësi tjetër për t’ia bashkangjitur Luginën e Preshevës Kosovës, pa u pajtuar me Serbinë për korrigjimin e kufirit”, ka shtuar ai.
Sipas Thaçit, në rast se do të ketë sukses në këtë përpjekje, rasti i korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në asnjë rrethanë nuk paraqet precedent.