Azem Syla ka reaguar lidhur me pretendimet për një kundërshti të mëhershme me Beajdin Allaqin duke i cilësuar ato si akuza pa bazë.
Syla ka thënë se reagimin e bën “për hir të familjes” së Allaqit dhe ka theksuar se mes tyre nuk ka pasur kurrë përplasje.
Ai ka shprehur gjithashtu mirënjohje për Ali Ahmetin, për mohimin e pretendimeve që, sipas tij, janë shpikur lidhur me një mbledhje në Kollare të Kërçovës në vitin 1993.
Në reagimin e tij, Syla e ka cilësuar aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë si “thellësisht të padrejtë dhe qëllimkeq” duke pretenduar se ai po përdoret për thellimin e ndarjeve brendashqiptare.
“Siç e dinë ata e të gjithë, kurrë nuk kam pasur kundërshti me shokun dhe bashkëveprimtarin tim të hershëm Beajdin Allaqi”, ka shkruar Syla.
Reagimin e ka përmbyllur me thirrjen: “Lavdi dëshmorëve të kombit!”.





