Site icon PrishtinaPress

Autostrada e Dukagjinit mbi 1 miliard euro

Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, morën pjesë në dëgjimin publik me qytetarët e Gjakovës, për autostradën e Dukagjinit.

Me këtë rast, kreu i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini ka thënë se autostrada që lidh Dukagjinin është investimi më i madh infrastrukturor në Kosovë që nga pas lufta.Ai ka treguar edhe për tri kyçje që do t’i ketë Gjakova në këtë autostradë. Ndërsa, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ka thënë se ka ardhur koha që përmes investimeve kapitale t’i kthehet dinjiteti Gjakovës me një investim të tillë po bëhet realitet nga ministria e Infrastrukturës me mbështetjen e plotë të qeverisë Haradinaj.

Ai ka thënë se ky investim paraqet autostradën më të gjatë në Kosovë që ende jo zyrtarisht quhet autostrada e Dukagjinit.

Kjo autostradë përfshinë komunat nga Istogu deri në Prizren, duke përshkruar Pejën, Deçanin, Junikun, Gjakovën, Rahovecin dhe lidhet me autostradën Ibrahim Rugova.

Sipas tij, ky projekt është më gjigandi dhe më atraktivi që po realizohet nga Qeveria Haradinaj dhe se ky projekt do të realizohet me buxhetin e shtetit pa huamarrje. Gjatësia e autostradës do të jetë mes 90-95 km me të gjitha elementet përcjellëse. Ai ka shtuar se vlera e përafërt e këtij projekti do të sillet rreth 590 milionë euro, kurse me shpronësime rreth 1 miliard euro, me financim të ndarë në katër vite qeverisje.

Gjakova do t’i ketë 3 hyrje-dalje në këtë autostradë, kurse qasja më e afërt e Gjakovës do të jetë në distancë prej 4.1 kilometra. Kryetari Gjini dhe ministri Lekaj i siguruan banorët e kësaj komune se ky projekt do të realizohet konform interesit të tyre dhe se çdo shqetësim, sugjerim apo vërejtje e tyre në këtë debat do të merret parasysh, do të analizohet dhe nëse është kompatibil me projektin do të inkorporohet në të. Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë ‘Infra’, e cila do të merret me projektin e autostradës, ka folur për elementet e kësaj auto-rruge.

Exit mobile version