Si u mundësua arratisja e Enver Sekiraqës, vetëm pak ditë pas shpalljes së dënimit prej 25 vitesh burg, e ka ekspozuar një prej dobësive më serioze të sistemit tonë të drejtësisë: paaftësinë për të garantuar zbatimin e vetë vendimeve të veta.
Vendimi për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak, e më pas ndërprerja e këtij arrest – i marrë nga gjyqtari Agim Kuçi, së bashku me anëtarët e trupit gjykues Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyçi – e la Sekiraqën të lirë në një moment kritik. Ky ishte gabim që u shndërrua në pasojë: një i dënuar për një krim të rëndë, sot i pakapshëm.

Masat disiplinore u vendosën, por ato mbetën simbolike pasi qe Këshilli Gjyqësor i Kosovës ndëshkoj vetëm kryetarin e trupit gjykues Agim Kuçi duke kursyer anëtarët e tjerë Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyçi. Askush nuk e kthen dot pas faktin që një person i shpallur fajtor për një vepër të rëndë nuk u ndalua menjëherë, nuk u mbikëqyr dhe nuk u trajtua me kujdesin që kërkon rrezikshmëria.
Ky rast nuk është thjesht dështim individual; është alarm për gjithë sistemin. Derisa vendimet e profilit të lartë të trajtohen si procedura rutinë, dhe jo si çështje të sigurisë publike, drejtësia do të mbetet e brishtë.
Rasti Sekiraqa është provë e hidhur. Por nëse institucionet e trajtojnë me seriozitet, mund të jetë edhe pika e kthesës që drejtësisë në Kosovë i ka munguar për shumë kohë.
Vendimi për ndërprerjen e arrestit shtëpiak ndaj Sekiraqës—i nënshkruar nga gjyqtari Agim Kuçi, në përbërje me gjyqtarët Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyçi—mbetet një prej akteve më të kontestuara në historinë e gjyqësorit kosovar. Ky vendim jo vetëm që i dha Sekiraqës mundësinë të arratisej, por përçoi një mesazh të rrezikshëm se: rregullat nuk janë të njëjta për të gjithë.
Për ndryshe në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)- Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në Dhomat e Specializuara në Hagë, emri i Enver Sekiraqës është përmendur si pjesë e diskutimeve mbi besueshmërinë e dëshmive dhe viktimave të pretenduara. Ky diskutim ngriti pikëpyetje në Kosovë nëse Sekiraqa dëshmoi nga arratia, apo jo.
Enver Sekiraqa ende mbetet në arrati i pa kapshëm për drejtësin.





