Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Jugut nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka thënë se për të është një ndjenjë e mirë kur krahasohet me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Në një intervistë për emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, Tahiri deklaroi se gjithmonë synon të prezantojë personalitetin e tij, pavarësisht krahasimeve që i bëhen.
“Unë jam origjinal, tentoj të jem origjinal, tentoj të përfaqësoj dhe të prezantoj tërësisht veten time”, tha Tahiri.
Ai shtoi se krahasimet me ish-presidentin Thaçi i merr si kompliment.
“Por përndryshe, krahasimi me presidentin Hashim Thaçi është një ndjenjë e mirë, kam marrë komente të tilla nga shumë miq dhe nga shumë persona të jetës publike në Kosovë”, u shpreh ai.
Tahiri bëri të ditur gjithashtu se së shpejti do të udhëtojë drejt New York-ut, pas një ftese të marrë nga senatori amerikan David M. Carr, për të marrë pjesë në inaugurimin e rrugës “Isa Boletini”.
“Kam marrë një ftesë, personalisht kam qenë edhe më herët dhe e kam mik senatorin që ma ka dërguar ftesën, David M. Carr. Konkrisht, ftesa është për rrugën ‘Isa Boletini’ në New York të SHBA-ve”, tha ai.
“Do të shkoj me shumë kënaqësi. Jam i nderuar që do të jem në këtë event shumë të rëndësishëm. Unë senatorin e kam mik, kam qëndruar me të kur kam qenë në New York. Ai mbron dhe promovon vlerat e qytetarëve shqiptarë atje”, shtoi Tahiri.





