Carlo Ancelotti hyri në një seri diskutimesh të tensionuara me reporterët spanjollë mbi abuzimin racist ndaj sulmuesit të Real Madridit, Vinicius Junior, nga tifozët e Valencias.
Fyerjet ishin aq të rënda në ndeshjen e sotme sa që gjqytari e ndaloi lojën në “Mestalla”.
Kur ndeshja rifilloi, u pa një Vinicius dukshëm i nervozuar dhe u përjashtua pastaj me karton të kuq pasi goditi një futbollist kundërshtar.
Valencia fitoi 1-0, por Ancelotti nuk ishte në humor për të folur për futbollin në intervistën pas ndeshjes.
“Jam shumë i zemëruar. Ajo që ndodhi sot është e turpshme. I gjithë stadiumi e quajti Vinicius majmun dhe unë mendoj se La Liga ka një problem shumë serioz me këtë”, tha ai pas ndeshjes.
“E pyeta Vinicius nëse donte të vazhdonte të luante, por gjithashtu duhej t’i thoja se nuk ishte fajtori, ai ishte viktima dhe nuk është e drejtë që viktima duhet të largohet nga situata. Gjyqtari më tha se aktivizoi protokollin për abuzim racist, por nuk më duket zgjidhje, sepse tashmë e di që asgjë nuk do të ndodhë”, shtoi trajneri italian.
Gjërat u ndezën edhe më shumë në konferencën për shtyp më pas, ku një nga gazetarët vendas u ankua se Ancelotti po i shante padrejtësisht njerëzit e Valencias duke thënë se ata ishin të gjithë racistë.
“Nuk ishte një person që bërtiste majmun, majmun, majmun, ishte turma”, deklaroi Ancelotti.
Gazetari vendas u përpoq të argumentonte se ata po bërtisnin “tonto”, që do të thotë “idiot”, por Ancelotti nuk u tërhoq.
“Gjyqtari aktivizoi protokollin për abuzim racist. A do ta pezullonte lojën sepse e quajtën dikë idiot? Jo. Është për shkak se ka pasur abuzim racist”, tha trajneri i “Los Blancos”.
Më pas Ancelotti u largua nga dhoma e shtypit, dukshëm i zemëruar.