Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Përmes një postimi, Ahmeti ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar në frymë vëllazërore, ku janë diskutuar çështje me interes të përbashkët kombëtar, thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, perspektiva evropiane dhe partneriteti në kuadër të NATO-s.
Ai ka theksuar se takimi merr një domethënie të veçantë edhe për faktin se është zhvilluar më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, si dhe në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.





