Administrata e Kuvendit ka reaguar ndaj deklratave të deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, i cili deklaroi se 48 deputetë të Kosovës kanë hapur xhirollogari për herë të parë kur kanë hy në Kuvend.
“Në referim të deklaratës së deputetit Driton Selmanaj, Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun sqaron si në vijim:
Administrata e Kuvendit nuk kërkon të dhëna nga deputetët lidhur me vendet e tyre të mëparshme të punës e rrjedhimisht nuk ka bërë dhe nuk as bën analiza e statistika përkitazi me këto punësime. Andaj, thirrja në administratë është e paqëndrueshme”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka deklaruar mbrëmë se ka informacione, nga administrata e Kuvendit të Kosovës, se 48 deputetë kanë hapur për herë të parë xhirollogari bankare kur e kanë marrë mandatin e deputetit.