Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se nuk do të marrë pjesë në takimin e presidentes Vjosa Osmani me partitë politike, ku do të diskutohet për zgjedhjet në veri.
AAK-ja ka dalë me një propozim prej 4 pikash, që bën thirrje për ta kthyer situatën në normalitet dhe se, sipas tyre, derisa nuk do të ketë një reflektim për këto kërkesa, kjo parti nuk do të jetë pjesë e nismave politike, shkruan Klankosova.tv.
Kjo është përgjigjja e AAK-së:
Përgjigje për takimin e thirrur nga presidentja për zgjedhjet në veri
AAK-ja ka dalë me një propozim prej 4 pikash, për të rikthyer situatën në normalitet, jo vetëm në veri, por në gjithë Kosovën, e të cilat janë:
- Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale.
- Institucionet e Kosovës: Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet në të gjitha nivelet, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në insitucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë.
- Qeveria të nisë komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar, por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar.
- Të kërkohet një samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (takim disaditor), deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje reciproke Kosovë-Serbi.
Për këtë qëllim e kemi thirrur në interpelancë edhe kryeministrin e vendit.
Dhe derisa nuk do të ketë një reflektim për këto kërkesa, ne nuk do të jemi pjesë e nismave, që veç sa e komplikojnë edhe më tej situatën në vend./Prishtinapress/