Site icon PrishtinaPress

AAK i jep mbështetje platformës së Veselit për unitet politik

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka dërguar një platformë te liderët e partive politike në vend. Kryeparlamentari ka kërkuar unitet politik në lidhje me temat e mëdha.
Dialogu, Ushtria e Asociacioni theksohen në këtë platformë të Veselit si temat kryesore që vendi duhet të ballafaqohet në të ardhmen.

Kësaj thirrje të Veselit, po i jep mbështetje edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj ka thënë për lajmi.net se çdo lloj platforme që bashkon partitë për temat e mëdha, është e nevojshme.

Ai thotë se nuk është me rëndësi kush e kërkon këtë unitet, por qëllimi i platformës.

“Çdo lloj platforme që bën thirrje për bashkim të partive për temat e mëdha është e nevojshme. Pa marrë parasysh kush e thërret apo e realizon”, ka thënë Selmanaj për lajmi.net

Sipas tij, platformat e tilla janë pozitive.

“Nuk e kam parë ende atë platformë, por parimisht e përkrahi”, thotë Rasim Selmanaj.

Në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar më shumë si frazë politike thirrjen e Veselit.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë më herët për lajmi.net se PDK-ja po synon të fshihet në pushtet, duke u thirrur në temat e mëdha.

Lajmi.net ka tentuar të flas edhe me Nismën dhe Vetëvendosjen, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Exit mobile version