Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është deklaruar mbrëmë për situatën epidemiologjike në vend. Sipas tij, masat e reja që janë ndërmarrë për luftimin e pandemisë, kanë pasur efekt pozitiv, por jo në nivel të kënaqshëm, raporton Express.
“Sidomos pjesa e disciplinës gjatë ditës, kujdesit, takimeve të ndryshme dhe shpërndarjes së infeksionit, qoftë në familje ose në rrethe tjera. Realisht, numri i testimeve ka vazhduar të jetë edhe në aspektin e gjurmimit, hulumtimit por edhe të identifikimt të vatrave të infeksionit”, ka thënë Zemaj.
Zemaj ka treguar se sot do të ketë vlerësim epidemiologjik javor, derisa theksoi se në bazë të situatës në terren, nuk do të ketë lirim të masave në këtë fazë dhe sipas tij duhet të ketë rritje të disciplinës.
“Është shqetësuese, se virusi akoma po vazhdon të merr jetë; mosha e vjetër është prekur fatkeqësisht ditëve të fundit. Nesër e kemi vlerësimin epidemiologjik javor dhe do të shohim sesi do të ecim tutje, qoftë në ditët në vijim dhe për javën tjetër”, deklaroi Zemaj.
I pari i Shëndetësisë ka thënë se një prej problemeve kryesore me të cilat po përballen është që pjesëtarët e tjerë të familjarëve të infektuar nuk po vetizolohen dhe kështu ata po detyrohen që të bëjnë shumë testime.
“Ka pasë testime të shumta edhe familjare, për këtë arsye është edhe numri ai që përcillet si rritje, edhe pse sipas protokolleve, rekomandimi është që kur një pjesëtar rezulton pozitiv, pjesa e familjes këshillohet që të jenë në vetizolim dhe numri të reduktohet, ose të mos kemi edhe shpërndarje të infeksionit.
Edhe në diskutimet, edhe në kontaktin që e kemi edhe me Shtabet Emergjente dhe me Drejtoritë Komunale dhe Task -Forcat e angazhuara me pandeminë, fatkeqësisht kjo disciplinë, nuk ruhet dhe po detyrohemi që të bëjmë testime në masë – në familje, rreth dhe komunitet që ta izolojmë”, ka thënë Zemaj.