Kryetari i Komunës së Podujevës dhe nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë për lajmi.net se partia e tij shumë shpejt do të dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë, mirëpo ai shpreh keqardhje pasi që sipas tij Lista Serbe që moti ka qenë në kontroll të institucioneve të Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës shumë shpejt do ta ndërtojë qëndrimin dhe do ta jap për publikun, neve na vjen keq që vendi ka ardhë në këtë situatë që për qeverinë me qenë përcaktuese Lista Serbe”, tha Veliu.
Veliu shtoi se partia e tij ka tërhequr vërjetjen edhe më herët se një gjë e tillë do të ndodhte, mirëpo kjo sipas tij nuk është marrë asnjëherë parasysh nga koalicioni qeverisës.
“Ne e kemi pas tërhjek vërejtjen me kohë që kurdo që Lista Serbe dëshiron, mund ta rrezojë qeverinë. Si duket kjo nuk është marrë parasysh nga koalicioni qeverisës, neve tash mundemi vetëm me shpreh keqardhje që për vendin tonë po vendos Lista Serbe. Mirëpo shumë shpejt LDK-ja do të dalë me një qëndrim të qartë për zhvillimet e fundit në Kosovë”, u shpreh Veliu.
Ndryshe, Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka vlerësuar se dalja e Listës Serbe nga qeveria është diçka që nuk i kontribuon të ardhmes politike të vendit, mirëpo ai theksoi edhe njëherë se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga posti i tij.