Site icon PrishtinaPress

5 fakte për Kosovën në prag të 10 vjetorit të pavarësisë

Kosova që të shtunën feston 10-vjetorin e pavarësisë, ka një flamur që pak kush e respekton, ka katër kode ndërkombëtare telefonike dhe një heroinë të xhudos, shkruan AFP.

Më poshtë mund të lexoni pesë gjëra për shtetin më të ri në Evropë, transmeton Telegrafi.

“Peshqiri” si flamur

Flamuri i Kosovës ka formën e territorit të saj, me gjashtë yje me ngjyrë të verdhë, për gjashtë kryesore etnike, me një sfond me ngjyrë të kaltër.

Flamuri vazhdimisht përqeshet duke u quajtur si peshqir nga shumica e shqiptarëve, që besojnë se është adoptuar kryesisht për të kënaqur padronët perëndimorë.

Flamuri që valëvitet në gjithë territorin e Kosovës është ai Shqipërisë fqinje – shqiponja e zezë dykrenare me një sfond me ngjyrë të kuqe.

Flamuri amerikan me vija dhe yje gjithashtu është shumë prezent, duke ia shfaqur haptazi Washingtonit përkrahjen që i ka dhënë Kosovës për t’u pavarësuar nga Serbia.

Ndërsa në zonat që banohen kryesisht nga serbët në Kosovë, “peshqiri” rrallëkund shihet dhe në vend të tij dominon ai i Serbisë.

Katër kode telefonike

Për shkak se Serbia kundërshton pavarësinë , ekzistojnë tre kode telefonike të telefonisë mobile që shfrytëzohen në Kosovë: Ai i Serbisë +381, i Monakos +377 dhe i Sllovenisë +386.

Kosovës i është dhënë së fundmi kodi telefonik +383 pasi arriti marrëveshje me Beogradin. Ky kod tashmë ka filluar të përdoret në aplikacionin e popullarizuar Viber, dhe shumë shpejt pritet të jetë plotësisht funksional.

Ikona e xhudos

Kosova ka mposhtur vëllanë e saj të madh, Shqipërinë, në lojërat Olimpike që u mbajtën gjatë vitit 2016 në Rio të Brazilit, ku heroina e kombit Majlinda Kelmendi arriti të fitoj medaljen e artë.

Kosova po e përdor sportin si “vegël” diplomatike, pasi u pranua në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik në vitin 2014 edhe pse kishte shumë kundërshtime nga Serbia.

Me krenari të madhe, Kosova gjatë javës së kaluar e prezantoi skiatorin e vetëm Albin Tahiri, në paradën e hapjes së lojërave Olimpike dimërore në Pyeongchang të Koresë së Jugut.

Diaspora e fuqishme

Kosova është shtëpia e rreth 1.8 milion banorëve, por 700 mijë shqiptarë të Kosovës vlerësohet se jetojnë jashtë kufijve, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër.

Diaspora, që ka edhe ministrinë e saj, i dërgoi në Kosovë gjatë 10 muajve të vitit 2017 rreth 620 milionë euro, duke u bërë kështu kontribuesi më i madh në funksionimin e shtetit, së bashku me ndihmat ndërkombëtare.

Katedralja e mirënjohjes

Afro 95 për qind e shqiptarëve të Kosovës i përkasin besimit Islam, por njëra nga katedralet më të mëdha katolike në Ballkan gjendet në qendrën e qytetit të Prishtinës.

Katedralja që i dedikohet Nënës Terezë, me prejardhje shqiptare, është simbol i mirënjohjes ndaj Perëndimit për përkrahjen që i kanë dhënë vendit për pavarësi.

Exit mobile version