Site icon PrishtinaPress

4 D-të e Daçiqit: Dekonspirimi i doktrinës!

Shkruan: Sami Kastrati

Mund të mos pajtohemi me interpretimin e fakteve, por duhet të pajtohemi mbi faktet ka thënë ish-sekretari amerikan i Shtetit dhe ai që njihet si babai i diplomacisë, Henry Kissinger. Për këtë dhe shumë arsye të tjera doktrina e dezinformimit e Daçiqit herët apo vonë do të përfundojë e dështuar

Përderisa Kosova po i ofrohej shënimit të vitit jubilar të 10- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së vendit në qarqet të mirë informuara diplomatike qarkullonte një informatë.

Kokat e propagandës malinje serbe ishin mobilizuar, mjetet multimilionëshe financiare u ndanë, diplomacia e mediat u vënë në shërbim, ndërsa inteligjenca në veprim.

Qëllimi, synimi dhe ambiciet, që po vinin nga bartësit e pushtetit nga fqinji verior duket se ishin të trefishta: 1) të nxitej, ushqehej, rritej dhe forcohej përçarja në politikën e brendshme të Kosovës, zbehej besimi e shuhej shpresa në shtetin e ri, 2) të krijohej konfuzion, përmbajtje dhe pengesë në shtrirjen dhe depërtimin diplomatik të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet me jashtë dhe 3) të kënaqej opinioni i brendshëm publik në Serbi me kartën e nacionalizmit.

Ndërmarrja e përbashkët propagandistike po bëhej në një kohë kur pritej, që shteti serb do të duhej të ndërmerrte hapa konkretë dhe veprime bindëse drejt shënimit të kufirit me shtetin fqinj të Kosovës, heqjen e pengesave për anëtarësimin e tij në Kombet e Bashkuara dhe lëvizjen më të shpejtë drejt njohjes edhe de jure nëpërmjet arritjes së Marrëveshjes së detyrueshme ligjore.

Nga këndvështrimi i kryediplomatit të vogël serb, Daçiq me kuptimin e vizioneve të mëdha diplomatike e strategjike të perëndimit, por metodat taktike ruse kjo mund të shikohej dhe lexohej si një lloj i “Grand Strategy” në dioptrinë e tij apo me fjalë të tjera si një vazhdim i luftës me përvojën e politikës së propagandës së vjetër, dhe të kombinuar me mjetet e reja të betejës hibride të lajmeve të rreme, që tashmë nga shteti amë i Serbisë – Rusia ishin shpërndarë gjithandej për të minuar sistemet dhe vlerat demokratike, lëkundur rendin dhe sistemin liberal ndërkombëtar, ndezur lëvizjet e së djathtës ekstreme në Evropë dhe forcuar regjimet autoritare.

Me metodën dhe strategjinë taktike, por ambicien që të krijojë konfuzion dhe kakofoni për subjektivitetin dhe legjitimitetin gjerësisht të njohur ndërkombëtar të shtetit të ri – Kosovës, përfaqësuesi i diplomacisë serbe kishte nisur një fushatë të egër dhe të pamëshirshme nëpërmjet të së ashtuquajturës tërheqje/revokim të njohjeve, por që thjesht ishte mashtrim i zyrtarëve, mohim i fakteve dhe manipulim mjeshtëror i opinionit.

Në ndjekje të kësaj linje, nuk u la gurë pa u lëvizur, derë pa u trokitur dhe mjet pa u përdorur. Nga Afrika në Oqeani dhe nga Oqeania në Amerikën Jugore, u takuan zyrtarë, prezantuan letra, përdorën e kombinuan të gjitha instrumentet e fuqisë së butë, të fortë e të mençur, duke mos përjashtuar joshjen me para, diplomacinë e armëve, ndihmat si nënshkrim dhe bursat si premtim.

Pa u futur thellë në analizën e procesit, kronologjinë e ngjarjeve, prezantimin e fakteve bindëse për secilin shtet të përmendur veç e veç; kuptimin e fjalëve e terminologjinë e gjuhës, verifikimin e dokumenteve zyrtare e korrespondencës diplomatike, procedurën dhe mënyrën e vendimmarrjes institucionale për njohjen e shteteve; aktin e njohjes diplomatike në marrëdhëniet ndërkombëtare, duhet të mjaftojnë të paktën tri raste të shteteve si ai i Guinea Bissau-ut, Ganës dhe Liberisë për të dëshmuar të kundërtën dhe për të provuar të vërtetën se strategjia serbe dhe doktrina Daçiq ishte thjesht rishfaqje e doktrinës së vjetër politike dhe të Akademisë së Shkencave Serbe, që është pranuar edhe nga ai që njihet si “babai i kombit” serb, Dobrica Qosiq, se “Rrena është interes kombëtar serb… spektër i patriotizmit… dëshmi e inteligjencës së lindur… kreativitetit, mençurisë, inventivës… qenies… shpëtimit…”.

Shpërfaqja e strategjisë së lajmeve të rreme, kampanjave të dezinformimit, keqinformimit apo shtrembërimit të informatave dhe ingredientëve të tyre nuk është e re dhe nuk është se ka lindur në Serbi.

Historia dhe literatura e marrëdhënieve ndërkombëtare njeh raste të tjera edhe më të errëta e trishtuese. Në vitin, 1983, The Patriot, një gazetë pro sovjetike dhe me anim të thellë indian, që shpesh publikonte pjesë të siguruara nga agjentët e Komitetit të Shërbimit Rus (KGB – Komitet Gosudarstvennoy Bezopasnosti) kishte shpifur dhe pastaj publikuar një storie, duke deklaruar se ushtria e shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte krijuar virusin HIV/AIDS dhe e kishte shpërndarë këtë si armë tek shtetet jashtë sferës së ndikimit të saj, dhe aty ku kishte dorë të hekurt dhe zë të fuqishëm rus.

Për shumë vjet, rrëfimi u publikua në përgjithësi tek mediat e kontrolluara nga KGB-ja dhe që kishin në shënjestër audiencën e gjerë vendëse.

Shpifja më pas ishte kapur nga gazeta e përjavshme kulturore zyrtare ruse, “Literaturnaya Gazeta”, për t’u shpërndarë gjithandej dhe me një shpejtësi të madhe.

Rreth katër vjet më vonë, storia ishte paraqitur mbi 40 herë në shtypin e kontrolluar rus për tu rishtypur dhe ritransmetuar në mbi 80 shtete dhe në 30 gjuhë.

Për kohën dhe rrethanat, virusi HIV/AIDS ishte trishtues dhe nuk është se kuptohej mirë, kështu që storia e dezinformatës kishte dëmtuar rëndë imazhin e ShBA-së në marrëdhëniet me jashtë dhe me gjasë avanconte interesat ruse, në veçanti në orbitën e ndikimit të tyre.

Me gjithë vitet e protestimit amerikan, rusët qëndruan të papenduar dhe insistuan se raportimi i tyre ishte i saktë. Dhe, vetëm në vitin 1987, ata më në fund premtuan të mohojnë akuzimet për virusin HIV/AIDS kundër ShBA-së.

Rasti HIV/AIDS i fabrikimit dhe shpërndarjes së lajmeve dhe krijimit të realiteteve të paqena mund të merret si shembull për të dekonspiruar doktrinën Daçiq, e cila buron dhe është kopje e pastër e doktrinës ushtarake ruse maskirovka (fshehje – rasti konkret i aneksimit të Krimeas) dhe që në thelb të saj veç shkronjës së parë të mbiemrit të babait të doktrinës ka dhe 3-D-të tjera: Deception (Mashtrim, realitet i rremë), Denial (mohim) dhe Disinformation (Dezinformatë).

Tradicionalisht, shenjat e fuqisë apo superfuqisë së shteteve në luftë dhe në paqe janë aftësia dhe kapaciteti i tyre ushtarak për të mbizotëruar vlerëson shkencëtari politik, profesori i Universitetit të Harvardit, dhe autori i konceptit të fuqisë së fortë, të butë dhe të mençur dhe njëri nga njerëzit më me ndikim në politikën e jashtme amerikane, Joseph Nye.

Mirëpo, sipas tij, “sot në epokën e informacionit, suksesi varet jo vetëm mbi atë se ushtria e kujt fiton, por mbi atë se narracioni/rrëfimi i kujt fiton”.

Serbia kishte një fuqi ushtarake dhe ekonomike rajonale të pakrahasueshme me Kosovën gjatë periudhës së luftës, por ajo humbi edhe luftën edhe narracionin, përderisa Kosova i fitoi të dyja.

I humbi, sepse lufta dhe kauza e popullit për çlirim e liri dhe vendit për pavarësi ishte e drejtë legjitime dhe legale, ndërsa narracioni u ndërtua mbi fakte.

Prandaj, njohja e Kosovës është dhe do të mbetet një fakt i kryer, proces i pakthyeshëm e i pandalshëm dhe vendim, të cilin e vulosi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, si organi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e kontesteve ndërshtetërore në përputhje me të Drejtën e Përgjithshme Ndërkombëtare.

Ne mund të mos pajtohemi me interpretimin e fakteve, por duhet të pajtohemi mbi faktet ka thënë ish-sekretari amerikan i Shtetit dhe ai që njihet si babai i diplomacisë, Henry Kissinger.

Sepse “para fakteve edhe Zotat heshtin”, thotë një fjalë e urtë popullore.

Për këtë dhe shumë arsye të tjera doktrina e dezinformimit e Daçiqit herët apo vonë do të përfundojë e dështuar, sepse nuk është as interpretim i fakteve, por thjesht doktrinë e 3D-ve dashakeqëse.

(Autori është drejtor i Komunikimit në Ministrinë e Jashtme. Ka shërbyer si zëvendës-ambasador në Hagë dhe Uashington D.C. Përfundoi Shkencat Politike në UP, atë të Integrimeve Evropiane në Universitetin e Gracit dhe Programin Prestigjioz për Siguri Kombëtare dhe Ndërkombëtare në Universitetin Harvard – John F. Kennedy School of Government në Cambridge, ShBA. Qëndrimet e shprehura janë personale.)

Exit mobile version