Më 3 nëntor 2010, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, priti në Prishtinë kryeministrin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovën e pavarur.
Gjatë takimit, Thaçi e falënderoi Erdoğan-in për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë në procesin e shtetndërtimit.
“Kosova është një shtet i ri, por një shtet me mundësi të mëdha”, kishte theksuar Thaçi duke e cilësuar Turqinë si partnere të rëndësishme në zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Ndërkaq, Erdoğan duke folur për marrëdhëniet me homologun e tij kosovar, ishte shprehur:
“Unë dhe vëllai im Thaçi, në bisedimet tona në Ankara dhe në takimin e sotëm, u zotuam të vazhdojmë këtë unitet dhe bashkëpunim ndërmjet vendeve tona, për ta ndihmuar Kosovën drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe më të begatë”.
Vizita e 3 nëntorit 2010 shënoi një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë duke konfirmuar partneritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.





