Site icon PrishtinaPress

Zyrtarit të arrestuar të MINT, ministrja Hajdari ia kishte paguar masterin – ai ishte dënuar nga AKK-ja

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre persona – Ridvan Muharremi (pronar i restorantit “Bukë e Zemër”), Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, të dy këta të fundit zyrtarë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë (MINT).

Tre të arrestuarit dyshohen për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Konkretisht, ata dyshohen për keqpërdorim të rezervave shtetërore që ndërlidhen me aferën e “vajit” dhe “grurit”.

Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.

Çka e lidh kryeministrin Albin Kurti me afaristin Ridvan Muharremi?

Pronari i restorantit “Bukë e Zemër”, Ridvan Muharremi, u arrestua sot nga Policia e Kosovës lidhur me aferën “Gruri e vaji”.

Por, çka e lidh të dyshuarin me kryeministrin e vendit, Albin Kurti?

I pari i ekzekutivit kosovar, siç kanë raportuar mediat, e ka vizituar shumë shpesh këtë restorant.

Madje në një rast aty ka shkuar edhe me të dërguarin special të BE-së për bisedime, Miroslav Lajçakun.

Kush janë dy zyrtarët e MINT-it të arrestuar në aksionin e sotëm?

Hafiz Gara është drejtori në Departamentin e Rezervave Shtetërore të Mallrave, ndërkaq më parë ka qenë Kryeshef i Agjencisë së Standardizimit në MINT.

Irfan Lipovicën, në maj të këtij viti, ministrja Rozeta Hajdari e kishte shkarkuar nga Pozita e Sekretarit të Përgjithshëm në këtë ministri.

Lipovica është kthyer në pozitën që e ka pasur më herët, shef i Departamentit të Integrimeve Evropiane.

Por, Lipovica nuk është krejt emër i panjohur për opinionin e as për drejtësinë.

Kjo për faktin se i njëjti, sipas raportimeve të “Periskopit” gjatë këtij viti, ishte favorizuar nga ministrja Rozeta Hajdari.

Atij thuhet se i ishte aprovuar një shumë e parave të Ministrisë për t’ia paguar shkollimin master në RIT Kosova (AUK).

Burime të besueshme të Periskopit kanë bërë të ditur se paratë e ndara për shkollimin e asokohe sekretarit të Ministrisë, nuk janë të ndonjë fondi për ngritjen e kuadrove profesionale të ministrisë, por të projekti CERP –  për të cilin projekt Qeveria ka marrë kredi për të përkrahur bizneset prodhuese.

“Sekretarit i është aprovuar nga ministrja Rozeta Hajdari një trajnim në fund të vitit të kaluar, mirëpo ky trajnim ka rezultuar se ishte shkollimi Master në RIK-AUK dhe për të cilin shkollim është bërë kontrata nga MINT me fakultetin RIT-AUK në vlerë 12.000 euro dhe këto mjete janë paguar nga projekti CERP për të cilin projekt Qeveria ka marrë kredi për të përkrahur bizneset prodhuese. Kësti i parë i pagesës në vlerë prej 4000 euro është paguar nga projekti për shkollimin master”, ka bërë të ditur për Periskopin burimi i mirëinformuar nga Ministria.

Lidhur më këtë çështje, “Periskopi” e ka pyetur edhe ministren Hajdari, por s’ka marrë ndonjë përgjigje.

“Periskopi” ka pyetur edhe bashkë-protagonistin tjetër të temës, Irfan Lipovicën.

Ai ka thënë shkurt se “nuk është bash qashtu”, e më pas ka kërkuar që t’i dërgojnë pyetje në e-mail.

Pyetjet, sipas Periskopit, i ishin dërguar, por përgjigjet s’i kishin marrë kurrë.

Lipoviza dënohet nga anti-korrupsioni

Zyrtarët e lartë publikë janë të detyruar që të bëjnë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit -AKK.

E për shkak se Lipovica, si zyrtar i lartë publik, nuk e kishte kryer këtë detyrim ligjor, ishte dënuar nga AKK-ja.

Ai u gjobit me 400 euro.

Lipovica, bashkë me Garën e Muharremin, dyshohen për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Exit mobile version